Banorët që preken nga zbatimi i projektit TID Durrës, në zonën historike të qytetit bregdetar, ditën e enjte pritet të protestojnë para Kuvendit të Shqipërisë.
Në orën 09.00 të ditës së nesërme, para parlamentit shqiptar atyre do t’u bashkohen edhe banorët që preken nga projekti i kompanisë “Gener 2” të Bashkim Ulajt në Velipojë.
Duket se pas protestave të vazhdueshme në Durrës dhe në Rrjoll, Shkodër, protestuesit kanë menduar të bashkojnë forcat dhe të protestojnë para Kuvendit për të tërhequr vëmendjen e përfaqësuesve të legjislativit për problematikat e tyre, që nuk po marrin zgjidhje.
Banorët që preken nga projekti TID kërkojnë pezullimin e tij, ngritjen e një Komisioni Hetimor në Këshillin Bashkiak Durrës, dhe uljen e bashkisë dhe Ministrisë së Kulturës e AADF-së në tryezën e bisedimeve.
Ndërsa banorët e Rrjollit pretendojnë se resorti që po ndërtohet në këtë zonë po u zapton tokën.
Pritet që kësaj proteste t’i bashkohen edhe të tjerë qytetarë e protestues.






