Në një kohë kur përfaqësues të familjeve, që preken nga projekti TID protestonin poshtë sallës së Këshillit Bashkiak dhe kërkonin që përfaqësues të tyre të hynin brenda, mbledhja e radhës e KB Durrës filloi.
Ishte këshilltari bashkiak Ardian Muka që i kërkoi kryetares së Këshillit Denisa Luarasi lejimin e një përfaqësie të banorëve, por kërkesa nuk u mor parasysh dhe mbledhja vijoi me diskutimin dhe miratimin e 11 projektvendimeve në rend dite.
Në fillim, këshilltarë të djathtë dhe të majtë bashkuan votat për zgjedhjen e zv/kryetares së re të KB-së nga radhët e opozitës. Ajo është Mirela Shala dhe e merr këtë detyrë pas dorëheqjes në muajin dhjetor të ish-zv/kryetares Edlira Devolli.
Ishin pikat që lidheshin me indeksimin e pagave të të gjithë punonjësve të bashkisë, institucioneve në varësi dhe Policisë Bashkiake etj, ato që nxitën reagimin e opozitës, e cila i abstenoi me votë këto projektvendime.
E ndërsa jashtë sallës, protestuesit kundër projektit TID, të mbështetur edhe nga përfaqësues të partive të vogla, kundërshtonin me megafon lënien e tyre jashtë mbledhjes, brenda në sallë, nënkryetari i bashkisë Gentian Kallmi u përgjigj pyetjeve të tyre.
Me thirrjet “Turp, turp” e pritën protestuesit daljen e këshiltarëve të majtë nga ambientet e bashkisë, ndërkohë që këtë herë në mbështetje të tyre kishin edhe një përfaqësi nga banorët protestues të Baks – Rrjollit.
M.B.





