Është dhënë sot masa e sigurisë për 42 personat e arrestuar në protestën e 2 qershorit, ku 2 prej tyre janë lënë në arrest me burg, 3 në arrest shtëpi, dhe 37 të tjerë në detyrim paraqitje.

Pas marrjes së këtij vendimi, ka reaguar ish-deputeti demokrat Flamur Noka, i cili është shprehur se po mbahen me urdhër të Edi Ramës. Ai ka paralajmëruar se protesta e radhës, ajo e 8 qershor do të jetë historike dhe do t’i japë një leksion bandës që është në pushtet.

“Opozita dhe qytetarët vazhdojnë të jenë në përballje me bandën në pushtet. E gjitha inskenim me urdhër politik, janë 26 qytetar që më 16 shkurt që janë të burgosur, vetëm se kanë protestuar, ndërkohë dalin skandale ku janë të përfshirë kryebashkiakë e deputet e kryeministri, fashikuj që prokuroria nuk mund ti zbërthejë por i zbërthejnë mediat e huaja. Bisha e plagosur është duke dhënë shpirt, mjeranë të gjithë ata shërbëtorë të bandës në pushtet, se shpresojnë se mund ta mbajnë me dhunë policie revoltën qytetare. Më datë 8 do jepet leksioni se nuk mbahet një bandë në pushtet, 8 qershori do jetë data që do shkruaj histori, do shpërthejë vullkani”, u shpreh Noka.