Tiranë, 3 mars 2014 – Komisioni i Sigurisë vendosi që të thërrasë në seancë dëgjimore shefin e Shërbimit Informativ Shtetëror të mërkurën e kësaj jave. Kërkesa ishte bërë më parë nga deputetët e opozitës, në lidhje me akuzat që ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka ngritur më parë për mungesën e informacionit në lidhje me shpërthimet me lëndë eksplozive. 

Por maxhoranca vendosi edhe pikën e përgjimeve të paligjshme të policisë, akuza këto të ngritura nga media. Pas mbledhjes, kreu i këtij komisioni, Spartak Braho, u shpreh se nese vertetohet qe ka patur pergjime te paligjshme do te kete shkarim dhe ndjekje penale për personat që kanë urdhëruar këtë operacion.

"Padyshim, nëqoftëse përgjimet janë bërë në kundërshtim me rregullat që përcakton ligji do të merren masa drastike, sepse është shkelur rëndë ligji. Personat që kanë urdhëruar përgjime të paligjshme do të mbajnë përgjegjësi administrative dhe penale", tha Braho.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/