Prej datës 13 maj deri më 13 qershor, mësuesit do t’i nënshtrohen provimit të shtetit, i cili do të zhvillohet në ambientet e Qendrës së Shërbimeve Arsimore.
Kjo e fundit bën me dije se kandidati duhet të paraqitet në QSHA 30 minuta para fillimit të testimit. Gazeta “Panorama” publikon sot kalendarin për organizimin e provimit të shtetit dhe portalit të mësuesit për sezonin XX maj-qershor 2025 si dhe dokumentacionin që duhet të paraqesin ditën e provimit aplikantët e interesuar.
“Ditën e provimit kandidati duhet të jetë i pajisur me: letërnjoftim (kartë ID ose pasaportë) për pjesëmarrje në provimin e shtetit (dokumenti origjinal); kopje të kartës ID ose pasaportë; faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit për llogari të QSHA, nga një bankë të nivelit të dytë/postë (sipas faturës për arkëtim të publikuar në faqen zyrtare të QSHA) sipas herës së pjesëmarrjes; si dhe kopje të diplomave të programeve të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve të përfunduara prej tyre, si dhe njohjen e tyre nga MASR, në rast përfundimi të programeve të studimit jashtë shtetit”, – thekson QSHA. Ndërkohë, kandidatët, të cilët nuk janë pajisur me diplomë të ciklit të dytë të studimeve, duhet të paraqesin një vërtetim nga universiteti përkatës, ku konfirmohet shlyerja e të gjitha detyrimeve, përfshirë edhe gjuhën e huaj, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.
SKUALIFIKIMI NGA TESTI
Qendra e Shërbimeve Arsimore bën me dije se nuk do t’u mundësojë kandidatëve, të cilëve u mungojnë këto dokumente, të marrin pjesë në provimin e shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit. Tarifa e depozituar për llogari të Qendrës së Shërbimeve Arsimore është e pakthyeshme dhe e vlefshme vetëm për sezonin aktual të provimit të shtetit. Në bazë të vendimit Nr. 560, datë 29.09.2018 të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave për shërbimet e ofruara nga Qendra e Shërbimeve Arsimore” është parashikuar zhvillimi i provimeve të shtetit nga kandidatët më shumë se pesë herë. “Për të gjithë kandidatët, lutemi të verifikoni emrin, atësinë, mbiemrin, si dhe datën dhe orën e provimit në faqen zyrtare të QSHA. Kandidatët lutemi të paraqiten vetëm në orarin e përcaktuar dhe publikuar në faqen ueb të QSHA. Në rast pasaktësie në të dhënat e paraqitura në ueb, lutemi të njoftoni përpara se të hyni në ambientin e provimit”, – nënvizon QSHA-ja.
Për paraqitjen në qendrat e provimit, kandidati duhet të ketë parasysh se ndalohet marrja me vete dhe përdorimi i celularëve dhe mjeteve të tjera të komunikimit gjatë zhvillimit të provimit, pasi kjo vlerësohet si kriter skualifikimi. Ndalohet duhani dhe konsumimi i ushqimit në mjediset e provimit. Ndalohet komunikimi gjatë zhvillimit të provimit./Panorama





