Maturantët sot në mbarë vendin kanë zhvilluar provimin e dytë të Maturës Shtetërore, në Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, që nisi në orën 10:00 dhe ka zgjatur 2 orë.

Menjëherë pas përfundimit, të gjithë maturantët dalin në orën 12:00 nga klasat, duke hequr maskat e duke diskutuar me njëri-tjetrin rreth vështirësisë së tezave dhe emocioneve të përshkruara.

“DurrësLajm” ishte në gjimnazin “Gjergj Kastrioti” në Durrës, ku priti maturantët për të na rrëfyer rreth testit të zhvilluar në kushte strikte për shkak të masave kundër Covid-19.

Maturantët duken optimistë për pritshmëritë pavarësisht shkëputjes së gjatë, por i ka ndihmuar deri diku edhe rikthimi për 3 javë në shkollë gjatë fazës së konsultimeve.

Ata thonë për “DurrësLajm” se provimi me alternativa ishte një model i vështirë pasi në lëndë të caktuara përgjigjet janë gati edhe të përafërta, por ka edhe maturantë që e kanë preferuar këtë opsion më shumë se sa atë me zhvillim.

Shumë mirë, ishte i vështirë, por i bëmë”, thotë njëra nga maturantet.

“Mirë, ishte i vështirë, por them se kemi dalë mirë. Pak frikë, i vështirë sepse duhej të plotësoje 60 alternativa brenda dy orëve, por nuk ishte i pamundur”, shprehet një tjetër.

“Te provimi i parë kam dalë më mirë, ky ishte pak i vështirë”.

“Ishte pak i vështirë, ishin pak ngatërruese alternativat”.

“Provimi i Gjuhë-Letërsisë të lë pak mëdyshje sa i përket alternativave, pasi ka shumë përgjigje që janë gati njësoj. Për disa lëndë është më mirë, për disa keq”, thotë një nga djemtë gjimnazistë të “Gjergj Kastriotit”.

Në gjithë vendin janë 32126 maturantë që i nënshtrohen provimeve të maturës në 486 qendra provimi. Ndërsa nga gjimnazet e qytetit të Durrësit janë rreth 2600 maturantë dhe për mbarëvajten e procesit janë angazhuar 400 mësues si administratorë provimesh në 31 qendra provimi.

Në datën 15 qershor do të zhvillohet provimi i Matematikës dhe më 18 ai i lëndëve me zgjedhje.

S.L.