Agjencia Kombëtare e Provimeve publikon datat dhe oraret e provimit të shtetit për profesionin e rregulluar të mjekut, stomatologut dhe farmacistit. Provimi për këto profesione do të zhvillohet në datat 17 dhjetor deri në atë 22 dhjetor. Ndërkohë që provimi për t’u pajisur me licencën e ushtrimit të profesionit për infermierët është shtyrë për në muajin janar 2016. Sipas AKP, për këta kandidatë provimi do të zhvillohet pas datës 6 janar, pra pritet të nisë në javën e dytë të muajit janar, por datat ende nuk janë zyrtarizuar.

Datat

Agjencia Kombëtare e Provimit ka përcaktuar datat e provimit të shtetit për mjekët, stomatologët dhe farmacistët. Duke qenë se në mjekësi janë pak kandidatë, rreth 40 persona, është lënë vetëm një grup në paradite në datë 17 dhjetor për të kryer testimin. Ndërkohë që tri gupet e tjera të datës 17 dhjetor do të jenë për mjekët stomatologë, po ashtu stomatologët do të testohen edhe në datë 18 dhjetor, të ndarë në tri grupe. Ndërsa për farmacistët që janë rreth 300 kandidatë janë lënë dy data, përkatësisht në datë 21 dhe 22 dhjetor. Sa i përket provimit të shtetit për infermierët, Agjencia Kombëtare e Provimit ka deklaruar se “provimi i shtetit për infermierët është shtyrë për në janar 2016”.

Dokumentet

AKP njofton se ditën e provimit kandidatët duhet të kenë me vete letërnjoftimin (ID) dhe një fotokopje të tij, mandatpagesën e tarifës së provimit të shtetit dhe faturën e publikuar nga AKP, të vulosur mundësisht nga Posta Shqiptare ose në pamundësi, nga çdo bankë e nivelit të dytë. Në rast të ndryshimit të mbiemrit, kandidati të paraqesë certifikatën përkatëse që vërteton këtë ndryshim. Kandidatët duhet të paraqiten në AKP 40 minuta para fillimit të provimit të shtetit.

Për sa i përket tarifës, ajo vjen në rritje në mënyrë progresive në varësi të herëve që kandidati i është nënshtruar provimit të shtetit. Kandidatët që hynë për herë të parë në provim të shtetit paguajnë 10 mijë lekë, ata që testohen për herë të dytë 12,500 lekë, për herë të tretë 15 mijë lekë, ndërsa ata që po testohen për herën e katërt është 17,500 lekë të rinj, ndërsa shansi i fundit për kandidatët që testohen për herë të pestë është 20 mijë lekë. Faturën e pagesës të interesuarit mund ta gjejnë në faqen zyrtare të AKP. Nëse kandidatët nuk kalojnë me sukses këtë provim, ata nuk kanë të drejtën e ushtrimit të profesionit të tyre për të cilin kanë mbaruar studimet e larta./Gazeta Shqiptare