Prej javës së tretë të shtatorit të këtij viti e në vazhdim, mësuesit do t’i nënshtrohen provimeve të shtetit. Qendra e Shërbimeve Arsimore bën me dije se testimi do të kryhet brenda ambienteve të këtij institucioni dhe i bën thirrje kandidatëve që të paraqesin dokumentacionin e kërkuar.

"Ditën e provimit kandidati duhet të jetë i pajisur me: Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë) për pjesëmarrje në provimin e shtetit (dokumenti origjinal); Kopje të Kartë ID ose Pasaportë; Faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit për llogari të QSHA, nga një bankë të nivelit të dytë/postë (sipas faturës për arkëtim të publikuar në faqen zyrtare të QSHA) sipas herës së pjesëmarrjes;",-theksohet në njoftimin e QSHA-së.

Ndërkohë mësuesit duhet të dorëzojnë edhe një kopje të diplomave të programeve të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve të përfunduara prej tyre, si dhe njohjen e tyre nga MAS, në rast përfundimi të programeve të studimit jashtë shtetit. Nëse kandidatët nuk paraqesin ditën e provimit dokumentacionin e sipërpërmendur, atëherë do të humbin mundësinë për të marrë pjesë në provimin e shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit.

QSHA më tej bën me dije se kandidatët që regjistrohen për provimin e shtetit, duhet të jenë të pajisur me diplomat e ciklit të parë dhe të dytë të studimit, të lëshuar nga IAL-të përkatëse.

"Neni 7 i ligjin nr. 10171, datë 22.10.2009 thekson sa më poshtë: Neni 7 Formimi dhe kualifikimi profesional për ushtrimin e profesionit të rregulluar personi, që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit dhe/ose kualifikime profesionale në atë profesion, të cilat vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara brenda ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi",-thuhet në njoftim.

Kandidatët duhet të zbatojnë rregulloren me përpikmëri në mënyrë që të mos penalizohen. Përkatësisht ata nuk mund të marrin me vete dhe të përdorin celularët apo mjetet e tjera të komunikimit gjatë zhvillimit të provimit, pasi kjo vlerësohet si kriter s’kualifikimi.

"Tarifa e depozituar për llogari të Qendrës së Shërbimeve Arsimore, është e pakthyeshme dhe e vlefshme vetëm për sezonin aktual të provimit të shtetit. Për të gjithë kandidatët, lutemi të verifikoni emrin, atësinë, mbiemrin, si dhe datën dhe orën e provimit në faqen zyrtare të QSHA në adresën www.qsha.gov.al, rubrika lista e kandidatëve."- thekson Qendra e Shërbimeve Arsimore. /GSH