Me caktimin e datës së provimit për kualifikim, të gjithë mësuesit që plotësojnë kushtet, janë vënë në lëvizje për të kryer aplikimin me dosje pranë drejtorive arsimore. Janë disa dokumente, pjesë e portofolit personal dhe profesional, të listuara në tabelën përbri, që duhet të dorëzohen pranë DAR-eve.

Një pjesë të mirë të vlerësimit total të mësuesve, pra 30%, e përbën formimi i përgjithshëm i çdo mësuesi, ku bëjnë pjesë trajnimet, gjuhët e huaja, masteri dhe çdo kurs që ndikon në formimin profesional. Dosjet e kandidatëve për t’u ngjitur një shkallë më lart në karrierë si dhe për të përftuar rritje page shqyrtohen në drejtoritë arsimore rajonale përkatëse.

VLERËSIMI

Një komision i posaçëm pranë çdo DAR/ZA mblidhet paraprakisht për shqyrtimin e dosjeve, por pakkush e njeh skemën e vlerësimit. Udhëzimi për kualifikimin e më- suesve, datë 12.02.2015k vlerëson me 1-3 pikë secilin element të portofolit profesional. Duhen së paku pesë pikë për të kaluar pragun, në të kundërt nuk futesh as në provim. Ndërsa kandidatët që kanë një diplomë pasuniversitare, master a doktoraturë, apo kanë mbrojtur një gjuhë të huaj fitojnë 15 pikë bonus.

Vlerësimi përfundimtar i kandidatit bëhet me sistemin e 100 pikëve, të cilat mblidhen nga portofoli i mësuesit, pikët e testit dhe bonuset. Në provimin e 21 prillit, i cili ka edhe shumicën e pikëve, do të jenë pesë fusha për të cilat do të pyeten mësuesit: veprimtaria mësimoreedukative, programi i lëndës, aspekte të pedagogjisë e metodologjisë, përdorimit të Teknologjisë së Informacionit në mësimdhënie-nxënie, etika e komunikimit dhe drejtshkrimi i gjuhës shqipe standarde.

Në faqen e IZHA-s, tashmë, mund të gjenden programet orientuese për secilin profil mësuesie ku renditen njohuritë dhe aftësitë bazë që duhet të zotërojë arsimtari që të zhvillojë një orë mësimore model. Me shpalljen e rezultateve përfundimtare të më- suesve që fitojnë kualifikimin, Instituti i Zhvillimit të Arsimit i nis të dhënat Ministrisë së Arsimit. Më pas, kjo e fundit ua shpërndan drejtorive arsimore përkatëse, të cilat zbatojnë vendimin për rritjen e pagës.

Ndryshe do të procedohet për mësuesit që japin mësim në shkollat profesionale, ku dosja e mësuesve që fituan kualifikimin do t’i niset Ministrisë së Mirëqenies Sociale. Tre mijë mësues të profileve të ndryshme i nënshtrohen çdo vit provimit të kualifikimit, i cili zgjat 2 orë e 30 minuta.