TIRANË, 18 mars 2013 – Kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar akt barbar dhe mizor veprimet e 45-vjeçarit Ardian Prenjasi, i cili u akuzua për rrëmbimin e një të mituri dhe pranoi se ishte ai ekzekutori i 11-vjeçarit Julian Çela.

Gjatë një bashkëbisedimi me studentët e një Universiteti privat kreu i qeverisë ka reaguar për herë të parë duke thënë se Shqipëria për vetë pozitën gjeografike që ka, jetojmë në një hapësirë Evropiane, e ka hequr dënimin me vdekje, por ekziston burgim i përjetshëm për vrasje të tilla tronditëse.

“Kodi Penal, i cili është ripërtërirë, ka ruajtur disa standarde, por ky kod do ndryshojë në mënyrë të qartë, do i përshtatet situatës. Drejtësia ka qenë e padrejtë, pasi vrasjet brenda familjes i cilësonte butësisht sikur viktimat të ishin pronë jo qenie njerëzore. Ai dënim që sot është 25 vjet do bëhet 40 vjet. Ne nuk kemi dënimin me vdekje, por kemi dënimin e përjetshëm. Do heqim çdo lloj falje për disa krime të cilësuar”,- deklaroi kreu i qeverisë.

45-vjeçari Ardian Prenjasi, i cilësuar tashmë ‘monstra i Laprakës’ u arrestua dje pasi kishte marrë peng dhe po tentonte të vriste 10-vjeçarin me iniciale, A.C, ndërsa në Komisariatin e Policisë ka tronditur me dëshminë rrënqethëse, kur pohoi se kishte vrarë 11-vjeçarin e Julian Çela, i cili rezultonte i zhdukur që prej 30 nëntorit 2012. 

/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/