TIRANE, 20 mars 2013 – Te bar “Korça”, pranë ish-Shkollës së Partisë në Laprakë, Ardian Prrenjasin, pedofilin vrasës, e njohin të gjithë. Që pas shpërnguljes në këtë zonë dhe nisjes së punës në kompaninë e pastrimit fare pranë këtij lokali, ai ka qenë ndër frekuentuesit më të rregullt. Pronari i lokalit, Kujtimi, kamerierët dhe vetë kolegët e punës së Ardianit janë të shokuar dhe nuk mund të bëjnë dot përputhjen e atij personi që njohin me atë që ka kryer krimin makabër.
“Jam ulur disa herë me të në tavolinë dhe dukej njeri i rregullt e mjaft i respektuar nga të gjithë. Nuk e besoj dot që ka vrarë atë fëmijë. Për fat të keq e njihja dhe Julianin, pasi kalonte gjithmonë para lokalit”, thotë Kujtimi, i cili kur përmendet fëmija i vrarë, nuk e fsheh përlotjen. Pasi na tregon se Ardian Prrenjasi konsumonte vazhdimisht alkool, me raste edhe në orët e vona të mbrëmjes, ai flet me siguri edhe për një detaj tjetër që lidhet me gjendjen ekonomike dhe gjyqin e vitit 2008, ku pedofili akuzohej për abuzim me një tjetër të mitur. “Në vitin 2008 Ardiani mori kredi për të paguar në gjykatë për një çështje për të cilën akuzohej. Na ka folur për këtë pasi e ka ndihmuar një kolegu i tij i punës duke i dalë garant për huan. Neve nuk na ka treguar se ishte akuzuar për pedofili, por na ka thënë se kishte shkelur rregullat e qarkullimit dhe i kërkonin lekë në gjykatë”, thotë Kujtimi. I sigurt për sa thotë, na drejton për të konfirmuar këtë informacion në tryezën ku janë ulur 4 nga kolegët e punës së Ardian Prrenjasit. “Dimë që ka marrë kredi në atë periudhë. I duheshin paratë për një gjyq që kishte, por asnjëri prej nesh nuk është garanti. Ai nuk është se fliste shumë për veten, përpiqej të devijonte kur e pyesnim për familjen dhe problemet e tij, por ekzistencën e kredisë na e ka pranuar”, thotë njëri nga kolegët, që nuk do t’i përmendet emri. Për shumën e saktë të parave asnjëri prej tyre nuk di të na thotë gjë. Pronari i lokalit, Kujtimi, mohon ta ketë parë Prrenjasin nën shoqërinë e fëmijëve në kafene. Por, sipas tij, djalin 13-vjeçar të së dashurës së tij që jeton gjithashtu në Laprakë, Ardiani e mbante vazhdimisht me vete. “Atë po, na e ka prezantuar si djalin e gruas. E merrte me vete gjithandej, edhe në punë, edhe këtu e ka sjellë shpesh. Tregonte shumë vëmendje dhe përkushtim për fëmijën”, thotë Kujtimi. Ai shton se edhe fëmija duket sikur ishte mjaft i afeksionuar ndaj Prrenjasit. Monstra i Laprakës duket se i ka lënë pa fjalë të gjithë ata që e kanë njohur. Çdo gjë mund të kishin imagjinuar, por kurrsesi se ai person mund të ishte një vrasës dhe përdhunues fëmijësh.
Rroba fëmijësh në shtëpi
Brenda shtëpisë së Ardian Prrenjasit janë gjetur rroba fëmijësh, ndërkohë që në tel qëndrojnë ende të varura teshat e tij. Shtëpia ku ai jetonte ishte një garsonierë në katin e parë të një shtëpie dykatëshe e marrë me qira. Direkt përballë ndodhet shtëpia e A. C., fëmijës 10-vjeçar që ai rrëmbeu dhe mbajti peng për 24 orë. Familjarë të ndryshëm hyjnë e dalin pa dashur të japin asnjë prononcim për ngjarjen e rëndë.
Pedofili, vazhdimisht i dehur
Sipas banorëve të lagjes, shokëve të punës dhe pronarit të lokalit ku ai pinte kafen, Ardian Prrenjasi shkonte në shtëpi vazhdimisht i dehur. “Kishte raste kur mund të pinte për orë të tëra, por nuk ishte agresiv. Ndodhte shpesh edhe të dehej”, thotë Kujtimi, pronari i lokalit që frekuentonte më shpesh Ardian Prrenjasi. Ai shton se pedofili kishte raste që ishte shumë i heshtur, por nuk prishte qejf me njeri.
Kamerierja: Daja kërkoi Julian Çelën në lokal, Prrenjasi nuk reagoi kur e pa
Bardha, kamerierja që i ka shërbyer çdo ditë kafen dhe gotën e rakisë, sapo i përmendim emrin e tij nis të qarën. “Këtu ishte si i shtëpisë, shumë i rregullt. Nuk kemi vënë re ndonjë ndryshim në sjelljen e tij muajt e fundit, përveç faktit që kishte raste kur kafen donte ta pinte vetëm dhe jo me shokët e punës, si më parë”, thotë Bardha. Ajo tregon se në periudhën kur Julian Çela kërkohej nga familjarët pasi kishte ditë që kishte humbur, ka qenë dëshmitare e një situate që edhe tani e trondit kur e kujton. “Daja i Julianit, e quajnë Ceni, erdhi për të disatën herë për të pyetur nëse e kishim parë nipin të kalonte para lokalit. Ardiani ishte te tavolina tjetër kur ne po i shpjegonim se nuk e kishim parë. Nuk reagoi fare. Ndërkohë që ishte pikërisht ai vrasësi”, thotë Bardha, kamerierja e lokalit. Ajo shton se të afërmit e Julian Çelës, për të cilin pedofili pranoi se e ka vrarë, kanë ardhur vazhdimisht në lokalin ku çdo ditë pinte kafen Ardian Prrenjasi për të pyetur nëse ndokush e kishte parë gjatë 3 muajve që ai u deklarua i humbur. “Ata i morën mbarë gjithë lokalet. Ta dinim që vrasësin e kemi pasur këtu… Është e tmerrshme”, thotë Bardha.





