TIRANE– Partia Socialiste, përmes deputetit Taulant Balla, ka hedhur dyshime të forta se vajza e kryeministrit Sali Berisha, Argita Malltezi, shfrytëzon pozitën shtetërore të babait duke u dhënë konsulencë kompanive, të cilat kërkojnë të investojnë në Shqipëri.
“Rasti që do t’ju tregojmë është ai i një investitori të huaj, i cili është edhe konsull nderi i Shqipërisë në vendin e tij të origjinës. Ky mik i Shqipërisë erdhi në vendin tonë për të propozuar një projekt me rëndësi strategjike në fushën e energjisë. Takoi dhe Saliun dhe me marifet u gjet rruga e zakonshme që i çon investitorët nga zyra kryeministrore e babait në zyrën e konsulencës së vajzës. Dhe këtu fillon odiseja rrëqethëse e zotërisë që erdhi në Shqipëri me një projekt zhvillimi dhe u tërhoq nga Shqipëria pas një korrespondence me Argita Berishën, kërkesat e së cilës ishin të papërballueshme”,- tha Balla.