TIRANE- Partia Socialiste ka akuzuar sot kryeministri Sali Berisha se nuk arrin të kuptojë krizën ekonomike që ka përfshirë vendin dhe gjendjen e vështirë me të cilën përballen shumë familje shqiptare. Sipas anëtares së grupit të punës për programin e PS-së Milena Harito barra e borxhit publik që do të rëndojë mbi kurrizin e qytetarëve të këtij vendi vjen si pasojë e keqqeverisjes së mazhorancës, ndërkohë që listat e borxheve në dyqane janë dëshmi e varfërisë që ka pllakosur në vend.

“Kryeministri thotë s’ka krizë, ndërkohë që vetëm në banaqet e ushqimoreve, listat e borxheve kanë shkuar të paktën 150 milionë euro. Kryeministri krenohet se po shpërblen administratën dhe pensionistët për vitin e ri me një kartolinë disa mijë lekëshe ndërkohë që u ka rritur me disa herë më shumë barrën e borxhin publik, që secili e paguan për llogari të keqqeverisjes së tij”,- tha ajo. 
Sipas anëtares së grupit të punës për Programin e PS, Berisha injoron alarmin e institucioneve ndërkombëtare se borxhi po kthehet në piramidë, duke mohuar krizën me argumentin bajat të rritjes së pensioneve.

“Po çdo pensionist e di se rritja që bën kryeministri u bën pensioneve është shumë më pak se rritja e vazhdueshme e kostos së jetesës në këtë krizë të rëndë”,- tha Harito.