Në kuadër të anëtarësimeve të reja, Partia Socialiste ka mbajtur sot një takim me të rinjtë në Tiranë. Në fjalën e tij, kryetari Edi Rama ka deklaruar se, prania e madhe e të rinjve në këtë event është prova se qeveria e tij po hedh bazat e një shteti të mirëfilltë. “Nuk ka provë më bindëse për atë çfarë kemi bërë sesa gjithë kjo valë prurjesh në PS. Ne po punojmë fort për të hedhur bazat e një shteti normal që të funksionojë,” – ka thënë Rama.
Ai është shprehur i vetëdijshëm që ka ende të pakënaqur, përfshirë këtu jo pak socialistë, por ka shprehur bindjen se, “e kemi kthyer Shqipërinë në drejtimin e duhur”. “Balta që hedhin kundërshtarët na inkurajon më shumë. Çdo reformë është një operacion dhe ka dhimbjet e veta, por ne do ta shohim triumfin e reformave dhe për këtë unë jam i bindur,” – ka thënë Rama.
Përpara tij, kryetari i PS për Tiranën, Saimir Tahiri ftoi të rinjtë që “të ndërtojmë së bashku Shqipërinë europiane”. “Sot politika është e vështirë, ndaj është e domosdoshme të punojmë shumë çdo ditë. Kemi filluar të bëjmë shtet, le ta bëjmë më të lehtë punën duke mbledhur më shumë fuqi,” – tha Tahiri, i cili nënvizoi se, “misioni ynë kryesor sot është reforma në sistemin e drejtësisë.”