TIRANE – Sekretari për çështjet zgjedhore në Partinë Socialiste, Damian Gjiknuri pritet të takojë sot rreth orës 11:00, diplomatë të huaj, të akredituar në Shqipëri. Në këtë takim, që mësohet se do të mbahet në hotel “Tirana” pritet që sekretari socialist të njoftojë përfaqësuesit e ambasadave të ndryshme për përgatitjet për zgjedhjet e 23 qershorit.
Opozita pritet të shprehë pakënaqësitë e saj në lidhje me situatën parapërgatitore zgjedhore. Një pjesë e rëndësishme e bisedave që Gjiknuri së bashku me ekspertin Bledi Çuçi do të zhvillojnë me të huaj do e zërë edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Dy ditë pasi kryetarja e KQZ-së iu drejtua Kuvendit për shpërndarjen e mandateve, PS pritet ta diskutojë këtë veprim me misionet diplomatike të OSBE-së apo edhe Komisionit Evropian. Këtë veprim, PS përmes Gjiknurit e cilësoi “një puç kushtetueses dhe rrezik serioz për fatin e procesit të 23 qershorit”.
Sipas Gjiknurit, çështja e rishpërndarjes së mandateve mund të kthehet në një puç kushtetues. Ditët e fundit, kritika për mënyrën se si po procedon KQZ ka shprehur edhe ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu. Gjatë konferencës së parë për këtë vit, në “Facebook”, Arvizu tha se: “Jam pak i shqetësuar rreth KQZ. Kanë qenë çështje që më kanë habitur, pasi kanë qenë çështje administrative, të cilat janë politizuar. Kjo nuk do të ishte ogur i mirë për zgjedhjet e 23 qershorit”.
E gjithë kjo situatë parazgjedhore, por edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me listat e zgjedhësve pritet të diskutohen në takimin e Gjiknurit me diplomatët e huaj. Një çështje tjetër që shkaktoi reagime nga ana e PS-së ishte edhe vendimi i fundit i Kolegjit Zgjedhor, i cili pranoi pjesërisht kërkesën e administratës së KQZ-së për rritjen e numrit të KZAZ-ve në 89 të tilla në të gjithë vendin. Partia Socialiste e vlerësoi vendimin si interpretim të gabuar dhe që kapërceu kufijtë e ligjit.
Ky nuk është takimi i parë i Gjiknurit me të huajt. Shpërndarja e mandateve parlamentare për zgjedhjet e vitit 2013 ka qenë në qendër të takimit të Gjiknurit me të huajt edhe në fund të vitit të shkuar. Ashtu si në takimin e nëntorit të vitit që shkoi, edhe në atë të sotmin pritet që të ketë një bashkëbisedim mes palëve. Partia Socialiste synon të denoncojë qysh herët të gjitha parregullsitë që vihen re, në mënyrë që ato të mund të përmirësohen përpara zgjedhjeve.