Pas përfundimit të procesit të zgjedhjes së delegatëve të Partisë Socilaiste për qarqet e Fierit dhe Beratit, nënkryetari i grupit të deputetëve socialistë Taulant Balla ka dalë në një konferencë për mediat ku ka vlerësuar procesin. Sipas Ballës, përfaqësuesit e këtyre qarqeve në Kongresin e 19 marsit u zgjodhën në mënyrë demokratike dhe transparente, sipas parimit 'një anëtar, një votë'. Referuar pjesëmarrjes ai bëri me dije se në votime morën pjesë 73.1% e anëtarësisë socialiste.

"Do doja që në këtë komunikim me mediat të falënderoja të gjitha anëtarët e PS në kater qarqet ku u zhvillua procesi i zgjedhjes së delegatëve: Berat, Fier, Elbasan dhe Korçë. Ishte një pjesëmarrje mbresëlënëse, e shkëlqyer, proces demokratik e transparent. Ky proces zhvillohet i tillë vetëm në PS. Jemi e vetmja forcë që delegatët i zgjedh me 'një anëtar, një votë'. Doja të ndaja disa nga dhënat e procesit. Në të kater qarqet morën pjesë 24 783 anëtarë, pra 73.1% e gjithë anëtarësisë," – tha Balla.

Sipas Ballës gjatë procesit u përmbush zotimi për të garantuar një pjesëmarrje 50% gra e 50% burra në Kongres.

Ai njoftoi se fundjavën e ardhshme do të zhvillohen zgjedhjet në Lezhë e Dibër.

"Procesi i zgjedhjes së delegatëve javës që vjen vijon në Lezhë dhe Dibër. Do iu kërkoja anëtarëve të PS në këto qarqe në qendrat e votimit të ushtrojnë detyrimin e tyre statutor për të votuar delegatët e Kongresit. Ky është një proces i rëndësishëm. Ka kaluar përmes shumë konsultimeve. Ky proces përmbyll fazën e parë të Kongresit të PS dhe, më 19 mars, pasi të jetë mbyllur procesi edhe në qarqet e tjera, shkojmë në Kongres. Faleminderit 25 mijë anëtarëve në këto qarqe," – përfundoi Balla.