TIRANË, 18 mars 2013– Kuvendi miratoi vetëm me votat e mazhorancës pr/ligjin për armët, që parashikon pajisjen me to të zyrtarëve të lartë të shtetit. Pr/ligji kaloi me 66 vota pro dhe 56 kundër. 

Deputetët socialistë e kundërshtuan këtë pr/ligj, duke e konsideruar të dyshimtë faktin se miratimi i tij bëhet në prag të fushatës zgjedhore. 

Deputeti socialist, Arben Isaraj akuzoi kryeministrin Berisha se ka urdhëruar armatosjen e të gjithë zyrtarëve dhe zëvendësave të tyre në prag të fushatës zgjedhore, duke lënë të paarmatosur vetëm Presidentin e Republikës. 

“Sot po çarmatosin vetëm Presidentin dhe të gjithëve na duan nën armë. Ka ditë që biznesi i armëve mezi pret licencimin miliardave të gjakut, a thua se jemi përpara një lufte dhe të gjithë ushtarë. Vetëm Presidentin e Republikës e ka çarmatosur Saliu, pasi ja mori të gjitha dekretet dhe e la me lugë bosh në brez. Sot është koha të çarmatoset politika e çdo niveli, të flasë me gjuhen e Kushtetutës dhe të ligjit”,- u shpreh Isaraj. 

Ndërkaq, sipas deputetit demokrat, Osman Metalla iu kundërpërgjigj akuzave të socialistëve duke i cilësuar deklaratat e tyre si spekulime të shëmtuara. Sipas tij, ky pr/ligj nuk ka lidhje me fushatën zgjedhore, pasi realisht hyn në fuqi në muajin gusht, 3 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare. 

“Ky ligj hyn në fuqi 3 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare. Ky ligj hyn në fuqi në gusht të këtij viti, kështu që ju po gënjeni me këto që po thoni”,- u shpreh Metalla. 

NOKA: PR/LIGJI PERMIRESON LIGJIN E VENDOSUR PREJ QEVERISË SOCIALISTE

Flamur Noka, Ministër i Brendshëm, si kreu i institucionit propozues të këtij pr/ligji, në fjalën e tij gjatë seancës plenare theksoi se ky draft synon të shkurtojë listën e personave ligjërisht të lejuar për përdorimin e armëve. 

Sipas tij, ky ligj në thelb të tij kërkon të përmirësoj ligjin e vendosur prej qeverisë socialiste vite më parë, ndërsa kërkon uljen e numrit të personaliteteve që lejohen të mbajnë armë me leje. Pr/ligji, tha Noka, respekton rrethanat që karakterizojnë vendin dhe zhvillimin e tij". 

ÇFARE PARASHIKON PR/LIGJI

Sakaq, gjatë diskutimit të këtij pr/ligji nëpër komisione parlamentare, neni që parashikon pajisjen me armë të politikanëve ka qenë ngërçi i draftit. Opozita e kundërshtonte këtë nen, pasi sipas saj është e panevojshme mbajtja e armëve nga deputetët apo ministrat. 
P/ligji "Për armët" synon përafrimin me direktivën e BE-së,"Për kontrollin e blerjeve dhe posedimit të armëve". Ai përfshin një fushë të gjerë veprimi, ndërkohë që dispozitat e tij nuk zbatohen për armët e Forcave të Armatosura Shqiptare. Ligji detajon tipet e 'armëve të zjarrit', që nga 'arma e shkurtër', 'armë e gjatë', 'armë automatike', gjysmautomatike e deri tek specifikimi i armëve të zjarrit 'për gjueti', armëve sportive, dekorative etj. Një risi e p/ligjit lidhet me personat që kanë të drejtë të pajisen me autorizim për mbajtje arme zjarri nga organi kompetent i Policisë së Shtetit, ku përfshihen deputetët, anëtarët e Këshillit të Ministrave, të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, zv/ministra, prefektë, kryetarë të qeverisjes vendore, gjyqtarë. 

Axhenda e sotme e Parlamentit parashikon dhe ratifikimin e tre marrëveshjeve, si dhe një interpelancë me ministrin e Bujqësisë, Genc Ruli lidhur me shqetësimin e krijuar së fundi për nivelin e lartë të aflatoksinës në disa lloje qumështi, që tregtohen në Shqipëri.