TIRANE – Partia Socialiste, përmes deputetes Ermonela Felaj, akuzoi ministrin e Financave, Ridvan Bode, se po tenton të justifikojë korrupsionin. Felaj iu referua deklaratës së një ditë më parë, bërë nga ministri Bode, se Shqipëria, në raportin e GIF, ndodhet në pozicion të nderuar.

Felaj theksoi se opozita nuk do të ndalë së denoncuari korrupsionin, që sipas saj bën ky pushtet me votat e vjedhura.

 “Ministri i Financave kërkoi të mbyllë publikisht luftën ndaj korrupsionit, por përgjigja jonë është e prerë, jo. Ky debat jo vetëm do vazhdojë, por do vijojë për të denoncuar korrupsionin që bën ky pushtet që qëndron me vota të vjedhura. Dje ministri i financave tentoi të justifikohej duke thënë se nuk ka korrupsion dhe se gjithçka është abuzim i opozitës. Ne duam t’i përgjigjemi me raporte ndërkombëtare. TIA, në vitin 2012 Shqipërinë e rendiste si vendin më të korruptuar mes Etiopisë dhe Nigerisë. Ja pra kjo është qeveria me dyer të pastra e Bodes dhe Berishës. I kujtojmë Bodes, raportin më të fundit të GFI, ku vitet e fundit kanë dalë me llogari të fshehta jashtë vendit 1.3 mld dollarë”. 

Sipas deputetes socialiste Ermonela Felaj mund të ndërtoheshin shumë kopshte e shkolla me ato apara dhe shumë taksa mund të uleshin. “Iu vodhën publikut shqiptar për të shkuar në xhepat e qeveritarëve",- tha Felaj.

Tre ditë më parë,grupi për luftimin e korrupsionit me bazë në Uashington, tha se një shumë parash e barabartë me 1/3 e buxhetit vjetor të Shqipërisë, është larguar në mënyrë të paligjshme nga vendin në gjashtë vitet e fundit, me anë të korrupsionit, evazionit fiskal dhe aktiviteteve të tjera të paligjshme.