DURRËS, 21 maj 2013 –Çdo punonjës duhet të dorëzojë te PD një listë me 15 emra durrsakësh, të cilët të votojnë për Partinë Demokratike, kjo është akuza e selisë rozë të qytetit bregdetar.
Në një konferencë shtypi më 21 maj 2013, kryetari i PS të bashkisë së Durrësit Alfred Mullaraj ka sulmuar me një gjuhë shumë të ashpër PD-në dhe Berishën (“kupola barbare në pushtet”, “përdorim skllavëror i administratës”, “presion kriminal”, “të pacipë”, “mentalitet skllavopronari”, “përdhosje e administratës”, “terror dhe shantazh”).
Mullaraj tha se “ashtu si në të gjithë vendin edhe në Durrës, Saliu me njerëzit e tij po ushtrojnë një presion të jashtëzakonshëm mbi administratën shtetërore duke i kërcënuar me bukën e gojës”.
Sipas selisë vendore rozë,
“Sali Berisha ka lëshuar urdhrin ashtu si në të gjithë vendin edhe në Durrës i cili parashikon që çdo punonjës duhet të dorëzojë tek drejtuesit e PD një listë me 15 emra me banim në Durrës, të cilët të votojnë për Partinë Demokratike”.
Kështu, krahas emrave, adresës së banimit dhe numrit të kartës së identitetit, çdo punonjës i administratës duket t’u japë drejtuesve të PD në degën përkatëse, edhe numrat e telefonit për çdo person që ka shënuar në listë.
Urdhri shoqërohet edhe me masat ndëshkimore për të gjithë ata që nuk i binden pushtetit.
Kush nuk dorëzon këtë listë humbet vendin e punës, pretendon Mullaraj.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





