Dritan Leli është përjashtuar nga Partia Socialiste, pasi refuzoi të hiqte dorë nga detyra e kryebashkiakut për të kandiduar për deputet.
Leli u largua nga partia pas një mesazhi që Damian Gjiknuri lexoi në Asamblenë e PS në Vlorë. Në mesazh thuhej se “Dritan Leli nuk ka më vend mes socialistëve”.
PS e ka konsideruar Lelin të “huaj” duke mos pranuar që ai të dalë në fushatë me kandidatët për deputetë.
Një tjetër shkak se përse Leli u përzu kështu nga partia duket të lidhet me faktin se ai u propozua për kryebashkiak nga Koço Kokëdhima edhe ai i larguar nga partia disa vite më parë përmes një procedure të ngjashme.
Rama i kishte kërkuar Lelit që të dorëhiqej nga bashkia për të kandiduar në listën e PS-së për Vlorën, por kryebashkiaku ka refuzuar kërkesën e shefit të tij, pasi nuk besonte se do të mund ta merrte mandatin me renditjen që do t’i bënte kryeministri. I refuzuar nga vartësi i tij, Rama ka vendosur tashmë që PS të mos ketë asnjë lidhje me Lelin, personazh i cili nuk i ka pëlqyer asnjëherë edhe të besuarit të Ramës në këtë qark, Damian Gjiknurit.
Leli pëson kështu fatin e Shpëtim Gjikës, i cili po ashtu nuk “dëgjoi” Ramën dhe u largua nga partia.





