TIRANE, 02 mars 2013 – Partia Socialiste dënon sulmet ndaj të rinjve shqiptarë në Maqedoni, duke i cilësuar ato si ngjarje me sfond etnik dhe kërkon vënien para drejtësisë të personave përgjegjës.
“Aktet e dhunës barbare e kriminale ndaj të rinjve shqiptarë në Shkup kanë shkaktuar tronditje dhe shqetësim në mbarë opinion shqiptar dhe përshkallëzim i situatës po ndiqet me vëmendje. Partia Socialiste e Shqipërisë shpreh indinjatën e thellë dhe dënon me forcë sulmet me sfond etnik ndaj shqiptarëve në kryeqytetin e Maqedonisë fqinjë dhe u bën thirrje autoriteteve përkatëse të gjejnë shkaktarët dhe autorët e dhunës duke i vënë përgjegjësit para drejtësisë. PS përsërit qëndrimin e saj të njohur për rëndësinë që ka stabiliteti i Maqedonisë për paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe u bën thirrje të gjithëve, – autoriteteve ashtu edhe faktorit politik shqiptar për vetpërmbajtje dhe zgjidhje të problemeve në frymën e vlerave europiane drejt së cilës synojnë të shkojnë bashkarisht të gjithë vendet e rajonit tone”, thuhet në deklaratën e PS.
Ndër të tjera, “Partia Socialiste shpreh solidaritetin e plotë me të lënduarit dhe familjet e tyre duke ju uruar shërbim të shpejtë dhe kërkon me forcë që t’ju jepet fund veprimeve që frymëzojnë cenimin e bashkëjetesës etnike, frymën e tolerancës dhe të mirëkuptimit në shoqërinë multietnike të Maqedonisë”, përfundon deklarata.