Përmes një postimi në rrjete sociale, të bërë ditën e shtunë, dega lokale e Partisë Socialiste në Durrës njoftoi “ndezjen e motorëve” për fushatën e zgjedhjeve vendore të 14 majit të vitit të ardhshëm.
PS kërkon mandatin e 7-të rradhazi në qytetin bregdetar ndërsa kandidate, megjithëse ende e pazyrtarizuar, pritet të jetë kryebashkiakja aktuale Emiriana Sako. Në mbledhjen e Asamblesë Socialiste të bashkisë Durrës ajo shfaqet mes koordinatorit të qarkut Adrian Çela dhe kreut të degës lokale Luan Zaza.
Pritet të jetë mesi i nëntorit, kur kryeministri Rama ka planifikuar vizitën e tij në Durrës (datë 15), periudha kur do të zyrtarizohet kandidatura e Sakos, e cila u zgjodh në këtë post vetëm pak muaj më parë, përballë dy rivalëve nga PD, Ardian Muka dhe Luan Hoti.
Por, pak orë para mbledhjes së Asamblesë lokale të PS-së, Sali Berisha bënte një lëvizje surprizë në Durrës. Bashkimin e dy poleve të partisë së tij e nisi nga qyteti bregdetar duke e vulosur me emërimin e Arlind Boshkut si sekretar dege. Por jo vetëm kaq.
Berisha do të rezervonte në postimin e tij në rrjete sociale një falenderim të veçantë për Luan Hotin, kreun e komanduar të degës në kohën e Lulzim Bashës.
“Në veçanti falenderova z. Luan Hoti për aktin e tij të përgjegjshëm dhe fisnik në kontributin për të bashkuar të gjitha përpjekjet e të gjithë demokratëve të Durrësit për të shpëtuar Durrësin dhe Shqipërinë nga regjimi monist i korruptuar i Edi Ramës, si dhe ftova çdo demokrate e demokratë të Durrësit, që të bashkuar të japin kontributin e tyre në këtë moment vendimtar për fatin e demokracisë në Shqipëri”,- shkruante Berisha në rrjete sociale.
E ndërsa bashkimi i demokratëve të Durrësit duket deri diku i arritur, “beteja” e tyre e parë është brenda llojit, me primaret e datës 4 dhjetor.
Megjithëse deri tani nuk ka pasur asnjë kandidaturë të deklaruar publikisht, kreu i degës Igli Cara përflitet si kandidati potencial.
Cara, edhe për shkak të detyrës së tij si kreu i degës, është thuajse i vetmi nga figurat kryesore të PD-së lokale që bën opozitë në rrjete sociale, kryesisht të fokusuar në denoncimin e problematikave që lidhen me punën e bashkisë.
Ish-deputeti Cara nuk do të shkojë i vetëm në primare, por në ditët në vijim pritet të publikohen emrat e tjerë, Sipas disa zërave, ende të pa konfirmuar, pritet që përballë Carës të garojë një biznesmen i njohur durrsak, ish-drejtor i një ndërmarrje të rëndësishme shtetërore gjatë qeverisjes së Berishës.
Në zgjedhjet e 25 prillit 2021, Cara arriti të ishte kandidati më i votuar në rradhët e PD, në qarkun e Durrësit, pavarësisht se nuk arriti të thyejë herësin e të fitonte mandatin e deputetit. Edhe në zgjedhjet e mbajtura prillin e këtij viti për kreun e degës ai fitoi përballë dy rivalëve Ardian Muka dhe Osman Stafa, me diferencë të theksuar votash.
Ashtu si edhe në fushatat elektorale vendore të 20 viteve të fundit, PD duket se nuk do të tradhtojë “traditën” e vendosur prej saj, kandidimin e njerëzve politikë, siç ka bërë në të kaluarën me Arqile Gorenë, Armand Telitin, Ferdinand Xhaferajn dhe Grida Dumën.
M.B.