Një grup prej 10 vetësh do të përgatisin deri në mars ndryshimet, që socialistët do t’i bëjnë Statutit të partisë së tyre. Me vendim të Asamblesë, ekipi do të drejtohet nga numri dy i partisë, Sekretari i Përgjithshëm Taulant Balla, dhe përbëhet nga Arben Pëllumbi, Alfred Peza, Bledi Çuçi, Blerina Gjylameti, Elisa Spiropali, Ilir Beqaj, Laert Duraj, Senida Mesi dhe Teuta Vodo.
Këto ndryshime pritet të prekin mes të tjerash, edhe dy forumet e PS-së, atë të të Rinjve dhe forumin e Grave. Fjalët e kryeministrit në mbledhjen e fundit të Asamblesë japin idenë e asaj që pritet të ndodhë, ku për sa i përket FRESSH-it, Rama tha se kishte nxjerrë mësime nga protesta e studentëve.
Funksionimi deri më tani i Forumit të Grave Socialiste nuk i ka pëlqyer aspak kryetarit të partisë, i cili vuri në pikëpyetje ekzistencën në të ardhmen të vet forumit.
Ndryshimet statutore do të miratohen në Kongresin e thirrur për më 23 mars, ku pritet që socialistët të bëjnë edhe ndryshime në Asamblenë dhe Kryesinë e partisë, pak muaj larg zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.





