TIRANE, 3 prill 2013 – Partia Socialiste, me anë të deputetes Eglantina Gjermeni, ka akuzuar Qeverinë se nuk ka mbajtur premtimet lidhur me uljen e varfërisë. Sipas deputetes socialiste, kryeministri Berisha premtoi uljen e varfërisë, ndërkohë sot varfëria reale është rreth 40% në shkallë vendi, ndërsa në zona kodrinore e malore mbi 50%.

"Qeveria premtoi rritjen e ndihmës ekonomike me të paktën 2 dollarë në ditë që është dhe kufiri i varfërisë. Sot familjet e varfëra përfitojnë mesatarisht vetëm 35 cent USD në ditë për çdo individ. E kuptoni vetë se 41 mijë lekë të vjetra në muaj nuk mjaftojnë që një familje shqiptare të sigurojë as jetesën biologjike. Për dinjitetin e familjet e varfëra, ne do të zëvendësojmë kafshatën e ndihmës ekonomike me mundësi reale për punësim. Nën qeverisjen socialiste, do të krijojmë 300 mijë vende të reja pune", tha Gjermeni.