DURRËS, 26 korrik 2014 –  Plas dhe një sherr jo i vogël në mazhorancën vendore të Durrësit, teksa kryekomunari socialist i Ishmit Sulejman Ibrahimi del kundër bashkimit me Durrësin në kuadrin e reformës territoriale.

“Komuna e Ishmit s’mund t’i bashkohet Durrësit. Kjo komunë ndodhet 50 km larg Durrësit. Komuna e Ishmit, bashkia e Manzës, komunat e Maminasit dhe Bubqit (në rrethin e Krujës), të jenë njësi më vete, pasi kanë 40 mijë banorë”- ka deklaruar kryetari i komunës së skajshme të rrethit, socialisti Sulejman Ibrahimi.

Ibrahimi ka bërë publik faktin se këtë kundërshtim ua ka bërë të ditur edhe Ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore z. Bled Çuçi dhe prefektit të qarkut Durrës-Krujë z. Rolant Xhelilaj, duke argumentuar se kundër ndarjes territoriale janë edhe banorët e zonës.

Mësohet se ky qëndrim ka shkaktuar shqetësim në PS-në vendore, pasi nuk pritej “rebelimi” në zonën e majtë, natyrisht, gjë që i shkon përshtat edhe opozitës, e cila po organizon protesta.

Është interesant fakti se Ishmin, Manzën dhe Maminasin, bashkë me Sukthin, Xhafzotajn dhe Gjepalajn kërkon t’i marrë Shijaku, i cili synon dalje në det.

Në vitin 1997, kur po diskutohej projektkushtetuta, në këshillin bashkiak të Shijakut u propozua që Durrësi të shpallej qytet i lirë, kurse Shijaku qendër administrative e të gjithë zonës rurale!

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/