Kongresi i Partisë Socialiste zhvillohet nesër dhe nis punimet në orën 10:00. Në rendin e ditës janë parashikuar gjashtë tema kryesore, ku në fillim do të jetë fjala e kryesocialistit Edi Ram, ndërkohë që janë parashikuar edhe debatet për ndryshimet në Statutin e PS.

Dy moderatorët e Kongresit të PS do të jenë Gramoz Ruçi, kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS dhe kryetari i Grupit Parlamentar të PS, dhe Taulant Balla, sekretari i Grupit Parlamentar të PS.

Ndërkohë, kreu i Komisionit të Garancive Statutore të PS do të prezantojnë ndryshimet në Statutin e PS.

Gjatë punimeve të Kongresit të PS është parashikuar të flasin edhe ministra dhe deputetë socialistë.

Kongresi i PS do të votojë për të zgjedhur 175 anëtarët e Asamblesë Kombëtare të PS, nëntë anëtarët e Komisionit të Garancive Statutore dhe, padyshim, edhe ndryshimet në Statutin e PS.

Pjesëmarrësit në Kongresin e PS, që njihen edhe si delegatë, do të jenë delegatët e zgjedhur nga strukturat e PS, si edhe 620 të tjerë, që e përfitojnë të drejtën për të qenë delegatë për shkak të postit që mbajnë, si: deputetët, kryetarët e degëve të PS, kryetarët socialistë të njësive vendore, etj.

Ndërkohë, për të marrë pjesë në Kongresin e PS janë ftuar edhe ish-kryetarët, që në këtë rats është Fatos Nano, ish-presidentët Rexhep Mejdani dhe Alfred Moisiu, si edhe personalitete të së majtës evropiane, si: ish-kryeministri britanik Tony Blair, eurodeputeti i majtë Gianni Pitella, Martin Shchultz, ish-kryeministri italian Massimo D’Alema, etj.