Një nga njerëzit që ka dhënë kontribut për formimin dhe zhvillimin e degës së PS-së së Durrësit, Alqi Kadënasi, i cili prej 8 vitesh ka drejtuar grupin socialist në këshillin bashkiak dhe prej 15 vitesh ka qenë anëtar i këtij këshilli, tregon detaje të pazbardhura nga formimi i kësaj dege, si dhe çështje që kanë të bëjnë me zhvillimet aktuale politike në PS. Duke ju referuar aleancave të mundshme para apo pas zgjedhore të PS-së, Kadënasi thotë se në politikë funksionon maksima “never say never”. Kadënasi është kritik në një intervistë dhënë për gazetën “Dyrrah” edhe për çështje që kanë të bëjnë me mos funksionimin e disa organizmave strukturore të PS-së, që kanë qenë më efektive sesa ç’janë aktualisht organizma të tillë si Asambleja e selisë rozë. Injorimi i Këshillit të të Urtëve në degën e Durrësit konsiderohet prej tij si një mungesë vëmendjeje ndaj njerëzve me kontribute në PS…

Cila ka qenë rruga që ka përshkuar dega e PS-së së Durrësit në vitet e para të krijimit të saj?

Krijimi i degës së PS-së dhe fillimi i veprimtarisë së saj është zhvilluar në kushte shumë të vështira për opozitën e asaj kohe. Me shokët e mi si Bardhyl Agasi, Zini Beqiraj, Spartak Braho, Skënder Narta, Josif Sallaku, Fatos Muça, Miri Hoti dhe shumë të tjerë, që të më falin se për momentin nuk më kujtohen, u angazhuam në momentet e para për të ngritur një strukturë të një force politike që të mos ngjante me Partinë e Punës, si në strukturë ashtu dhe në përmbajtje.

Kujtoj se nuk ka qenë e lehtë. Vëmendja kryesore u përqendrua te përmbajtja e kësaj partie, idetë dhe programi që duhet t’u përshtateshin interesave te njerëzve si dhe një formati të ri social-demokrat. Një problem më vete ishin edhe çështjet organizative. Kujtoj se mblidheshim në kushte ilegaliteti.

Mbaj mend se në Komunën e Manzës ku isha i deleguar i PS-së në atë kohë, takimet i bënim në kodra, pranë një depoje uji. Të mos harrojmë se kjo zonë ishte me prirje të majta, imagjinoni se ç‘bëhej në zona të tjera. Kujtoj se në atë kohë kishte më shumë idealizëm dhe më pak interesa të ngushta tek njerëzit.

Nëse dikush afrohej në parti për interesa personale, na dukej diçka e çuditshme. Aktualisht në kushtet e një shoqërie pluraliste, partitë janë trampolina për përfitime dhe pazare. Përsa i përket organizimit të PS-së dua të them se që nga viti 1991 deri në vitin 2000 pranë PS-së kanë funksionuar komisionet e përhershme në infrastrukturë, turizëm, arsim etj. Personalisht kam drejtuar seksionin e arsimit. Ne ideonim objektiva dhe strategji për zhvillimin e arsimit.

Përsa i përket situatës aktuale në organizimin e partisë mund të them se duhet gjykuar sipas kohës. PS-ja deri në vitin 1997 ishte në opozitë dhe më pas nga viti 1997 deri në 2005 ishte në pushtet. Në të dy këto periudha kohore ka patur objektiva të ndryshme. Nuk është se sot nuk ka idealizëm, por format kanë ndryshuar. PS-ja nuk duhet të heqë dorë nga format që kanë dhënë rezultat dhe në mënyrë të padiskutueshme japin përsëri rezultat.

Cilat sipas jush janë këto forma që e kanë bërë PS-në jo rezultative?

Nuk thashë se e kanë bërë PS-në jo rezultative, por që do të ishte mirë që të funksiononin. Struktura të tilla si kryesia e partisë nuk ka pse të zëvendësohen me struktura masive si Asambleja e PS-së. Kryesia ka mundësinë të përpunojë në mënyrë më të detajuar, atë që duhet të bëjë Asambleja.

Po kështu, ndarja e partisë në qytet dhe në fshat nuk ka pse të jetë. Nëse i referohemi Qarkut të Durrësit apo Krujës unë mendoj se një strukturë si qendër koordinimi për të gjithë rrethin, mund të ishte më funksionale. Këtë gjë nuk mund ta bëjë në këtë nivel Asambleja e PS-së.

PS-ja duhet që t´i adresohet gjithashtu më shumë shtresave të intelektualëve qytetarë durrsakë, të cilët janë një pasuri e vërtetë dhe do ta përmirësonin cilësisht partinë. Nuk ka asnjë arsye që ata të konsiderohen të tepërt pranë strukturave. Nëse në Tiranë është krijuar Këshilli i të Urtëve, pse të mos funksionojë edhe në degët e tjera.

Po kështu duhet që t´i rikthehemi dhe atyre organizmave që kanë qenë dhe mbeten një forcë shumë e madhe për PS-në. Do të marr si shembull FRESH-in apo Forumin e gruas. Në kohën kur unë dhe miqtë e mi ishin aktivë në jetën e PS-së, suksesi mbështetej te organizata.

Vërej se PS-ja aktualisht i ka vënë rëndësi anëtarësimeve, që konstatoj se po bëhen mirë në Tiranë, por nuk kanë të njëjtin ritëm në Durrës. Si FRESH-i ashtu dhe Forumi i Gruas duhet që të përkrahen shumë më fuqishëm. Duhet të shikohen realisht si një burim i fuqisë së PS-së. Partia duhet parë si një organizëm i gjallë dhe në këtë kontekst duhet të ketë përtëritje në struktura.

Po kështu, këto struktura duhet që të kombinohen në moshë, përvojë etj. Nuk mund të ketë njerëz të tepërt në PS. Ka forma të ndryshme për të marrë kontribute edhe nga ish-themeluesit e PS-së. Po marr një shembull personal. Kam qenë prej 15 vitesh anëtar i Këshillit Bashkiak të Durrësit dhe prej tetë vjetësh kam drejtuar grupin e këshilltarëve të PS-së në konditat e opozitës.

Sigurisht që nuk do të kërkoja të isha në Këshill Bashkiak, por pse të mos vlerësohet kontributi im apo i njerëzve të tjerë që mund të kontribuojnë në PS për probleme të pushtetit vendor…

A mendoni se PS mund të vijë e vetme në pushtet?

Unë mendoj se ardhja në pushtet është synimi bazë i një force politike, për më tepër i PS-së. Jam plotësisht dakord me idenë se i vetëm në pushtet në kushtet e sotme është e vështirë, por jo e pamundur.

Ardhja në pushtet nuk duhet të kthehet në qëllim në vetvete. Në kushtet kur ti synon të realizosh një program të caktuar, natyrisht që me këtë program do të bashkohen dhe përfaqësues të forcave të tjera që bien sinkron me këtë program. Ky program nuk mund të jetë tipik social-demokrat në kuptimin e ngushtë të fjalës, por mund të ngërthejë edhe shtresa apo pjesë të shoqërisë që nuk janë të majta.

Domosdoshmërisht e shikoj ardhjen e PS-së në pushtet jo të vetme, por me aleatë. Edhe po të vinte vetëm, personalisht nuk do të isha për një parti të vetme që merr përsipër qeverisjen. Ka një front opozitar aktual dhe unë nuk shmang bashkëpunimin me LSI-në, por i mbetem idesë se për aq kohë sa LSI-ja është pjesë e qeverisjes, nuk mund të flasësh për një koalicion me këtë forcë politike kundër PD-së.

Nëse LSI-ja do të braktisë këtë qeverisje, atëherë ekziston mundësia e një aleance me PS-në. Synimi kryesor mbetet largimi i Berishës dhe ardhja e një qeverisje të re. Në këtë kontekst do të thosha se nuk mund të përjashtohet mundësia e një aleance pas zgjedhore, nëse LSI distancohet nga qeverisja aktuale. Gjithsesi në politikë ka një maksimë “never say never”.

BIOGRAFIA

Kush është Alqi Kadënasi

Ka lindur në Kavajë në 2 Prill 1946. Shkollën e mesme e përfundon në Tiranë në shkollën ushtarake “Skëndërbej”, ndërsa arsimin e lartë në Tiranë në Universitetin e Shkencave të Natyrës, dega Fizikë. Në fundin e viteve 80-të përfundon si fakultet të dytë atë të Shkencave Politike. Aktivizohet me shkrimet e tij në gazetën “Adriatiku” në Durrës dhe më pas i përkushtohet për një kohë të gjatë arsimit. Punon si mësues fillimisht në shkollën “Naim Frashëri” për të vazhduar me detyra të tjera deri në vitin 2005 ku dhe e përfundon karrierën në këtë sektor në vitin 2005, si drejtor i Drejtorisë Rajonale të Durrësit. Nga viti 1997 deri në vitin 2005 kontribuon në organet e qeverisjes vendore. Nga viti 1997 deri në vitin 2000 punon si sekretar i Këshillit të Rrethit të Durrësit. Në vitin 2000 punon si sekretar i Këshillit të Qarkut të Durrësit si dhe Kryetar i Komisionit të Kthimit të Pronave të Durrësit. Kontribuon nga viti 1991 deri në vitin 1997 në shkollën e mesme të Manzës. Në vitin 1991 fillon të angazhohet në forcën politike opozitare të asaj kohe, Partinë Socialiste. Për 15 vjet ka qenë anëtar i Këshillit Bashkiak të Durrësit dhe për 8 vjet ka drejtuar grupin e këshilltarëve socialistë në këtë këshill.