Partia Socialiste ka zhvilluar mbledhjen e Asamblesë së bashkisë Durrës. Mbledhja u mbajt në kuadër të analizimit të rezultatit të zgjedhjeve të 30 qershorit dhe njëkohësisht i paraprin Asamblesë Kombëtare të PS-së, që do të zhvillohet më datë 23 korrik.

Gjatë mbledhjes, secili prej koordinatorëve të PS-së në lagjet e qytetit dhe njësitë administrative kanë bërë një analizë të rezultatit, duke bërë krahasimin mes rezultateve të zgjedhjeve të kaluara dhe ato të 30 qershorit.

Gjatë mbledhjes disa orëshe, pas analizës së 30 qershorit u lanë një sërë detyrash mbi aktivitetin e PS-së në qytetin e Durrësit.

Burime nga mbledhja bëjnë të ditur se një prej prioriteteve të PS-së Durrës do të jetë të qënurit në shërbim të qytetarëve dhe halleve dhe problemeve të tyre.

Fakti që tashmë PS ka kontroll të plotë edhe mbi vendimmarrjen e Këshillit Bashkiak që pritet të konstituohet në ditët në vijim nuk duhet të shoqërohet me vetëkënaqësi, por përkundrazi duhet të punohet fort për të ruajtur dhe forcuar edhe më tej rezultatin që doli nga zgjedhjet lokale.

Gjate mbledhjes së Asamblesë Socialiste të Bashkisë Durrës të pranishëm ishin i deleguari i Kryesisë së PS Vangjush Dako, kryetari i PS Durrës Luan Zaza, deputetët Rolant Xhelilaj, Fidel Ylli, Milva Ekonomi, Klodiana Spahiu dhe Jurgis Cyrbja.