Një prej figurave përfaqësuese në vitet e fundit në degën e PS-së së Durrësit, Zihni Beqiraj, rrëfen një pjesë të pandriçuar mirë të historikut të krijimit të kësaj dege si dhe çështje që kanë të bëjnë me meritokracinë, përfaqësimin, kontributet dhe raportet e ndryshme brenda partisë në vitet ‘90-të. Duke ju referuar periudhës së formimit të degës së PS-së së Durrësit, Beqiri i kërkon fillesat pas konferencës së majit të vitit '91, ku spikasin emrat e Mehmet Karakushit dhe Spartak Brahos. Sipas tij, në atë kohë kur akoma nuk ishte bërë Kongresi i 10-të i Partisë së Punës që çoi në transformimin nga Partia e Punës në Partia Socialiste e Shqipërisë, dolën dy drejtues të Partisë së Punës në atë kohë, Mehmet Karakushi, sekretar i parë dhe Spartak Braho.

Kanë qenë këta të dy drejtuesit e parë pas Kongresit të 10-të të partisë, në degën e partisë së Durrësit, të cilët morën dhe atributet e kryetarit dhe nënkryetarit të degës së PS-së. Ata së bashku me ekipin e tyre që kishin në aparatin e komitetit të partisë, hodhën hapat e para të transformimit të PPSH në Parti Socialiste. Në mbështetje të tyre ishin të gjithë ata drejtues të cilët punonin dhe që vendosën që t’i bashkohen këtij procesi. Ishin kryesisht kuadro që kishin punuar në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit si dhe në institucione apo ndërmarrje të tjera të rëndësishme që kishte qyteti i Durrësit. Për një periudhë 4-5 mujore si kryetar i parë i Partisë Socialiste në Durrës njihet Mehmet Karakushi dhe nënkryetar Spartak Braho.

Ndryshimet demokratike në vitin 1990 e gjetën Zihni Beqirajn në detyrën e përgjegjësit të arsimit dhe kulturës. Në atë kohë në këtë seksion përfshihej dhe Kavaja, një nga qendrat kryesore të angazhimeve në proceset demokratike. “Më është dashur që të përballem me një sërë situatash të vështira. Kujtoj rastin e demonstrimeve në gjimnazin e Kavajës, ku jam pritur me fërshëllima dhe të shara nga më të ndryshmet si ish-anëtar i Partisë së Punës. Kujtoj shumë mirë se më pas jam përcjellë me duartrokitje për shkak të zgjidhjeve që kam dhënë në situate delikate,duke ruajtur gjithmonë statujën e njeriut të pushtetit të asaj kohe, por në situata të reja të zhvillimeve politike që po ndodhnin”.

Organizimi i PS-së

Zihni Beqiraj kujton se organizimi i vërtetë i PS-së filloi pas zgjedhjeve të vitit 1992, me zhvillimet politike dhe zbatimin e vendimeve, urdhrave dhe urdhëresave që vinin nga qendra. Me vetë kërkesën e Karakushit dhe me nisjen e procesit të referimit të PS, në Durrës u zgjodh kryetar Bardhyl Agasi, në një kohë që Spartak Braho mbeti në rolin e nënkryetarit të PS-së.

“Unë në rolin e sekretarit organizativ të PS-së kam shkuar në korrik të vitit 1992”, kujton ish-deputeti i Partisë Socialiste. Beqiraj sjell në vëmenjde të lexuesit periudhën e zgjedhjeve të vitit '92 kur dihet që PD-ja fitoi dhe PS-ja doli në opozitë. Partia tashmë kalonte nga bazë prodhimi në bazë territori. Ishte në fakt një punë shumë e vështirë pasi socialistët nisën të organizoheshin në bazë blloku, lagje. Ndërsa në lidhje me çështjen e kontributeve njerëzore në periudhën e vështirë të krijimit të degës së PS-së, Beqiraj kujton se dega e PS-së ka pasur njerëz që kontribuonin brenda PS-së dhe njerëz që ishin aktivë jashtë strukturave të PS-së.

“Dua të përmend të nderuarin dr. Anastas Qerimi që nuk ishte anëtar i PS-së, por kontributet e tij kanë qenë edhe më të mëdha, se të disa anëtarëve të PS-së që ishin në atë kohë. Ai pranoi në atë kohë që të ishte dhe anëtar i Këshillit të Rrethit në dhjetëshen e parë, kur kishe të tjerë socialistë që deklaronin se nuk donin ta kishin emrin në krye, por në fund të listës”.

Socialistët e parë

Grupi i këshilltarëve të partisë në rreth, bashki apo komunë përballonin të gjithë ngarkesën e luftës politike që bëhej në atë kohë. Kjo realizohej përmes ruajtjes së autoritetit, mbrojtjes së interesave të socialistëve dhe shfaqej së alternativave. “Nuk mund të mohohet kontributi i njerëzve në atë kohë, kujton Zihni Beqiraj. Do të përmend Filip Gramin, Shpresa Sinën, Drita Leskovikun, mikun tim të madh Petro Luarasi që sot është në SHBA, Fatos Muçën, Besnik Rexhën, Leonidha Gjermenin, Miri Hotin që ishte në një farë mënyre dhe ikona e socialistëve, Josif Sallakun, Iliriana Kërçukun, Luçi Pezën si dhe të rinjtë që erdhën më pas si Aljosha Çamaj (që për fat të keq nuk jeton sot),të palëkundurin Alfred Dhuli, Natasha Paçon, Gjergj Kojën dhe shumë emrave të tjerë të nderuar, të cilëve ju kërkoj ndjesë që nuk po më kujtohen për momentin.

Nuk duhet harruar familja Bali, Robert dhe Tatjana Bali dhe gjithë familja e tyre”. Angazhimi i këtyre njerëzve në periudhën e viteve ‘90-të, ka qenë me sakrifica të mëdha. “Të gjithë këta njerëz kanë qenë çdo minutë me rrezikun për t’u larguar nga puna apo për t’u përballur me ndëshkime të tjera. Më kujtohet se në zgjedhjet lokale të vitit 1992 u bë operacioni “alo-alo” ku iu hoqën telefonat të gjithë kuadrove. Angazhimi në PS ka qenë me sakrifica të mëdha, por duhet thënë se nuk ishim njerëz të dhunës, por ishim protestues paqësorë”.

Mitingje, jo demonstrata

Duke nënkuptuar një dallim me strategjinë që ka ndjekur opozita e sotme në luftën politike, Beqiraj thotë se socialistët në atë kohë shkonin në mitingje dhe jo në demonstrata, ndonëse Berisha insistonte të mbante pushtetin.

“Nuk i shkon PS-së përdorimi i forcës. Në gjykonim ndryshe, ne donim që ta merrnim pushtetin nëpërmjet një rruge demokratike dhe paqësore dhe e arritëm këtë. Kjo është natyra reale e PS-së, si një nga pasuritë e mëdha të demokracisë shqiptare. Nuk dua të bëj këtu një krahasim me opozitën e sotme, por vetëm me kundërshtarin tonë politik”. Duke komentuar mënjanimin e një pjese të njerëzve me kontribute në PS dhe situatën e sotme në organizimin e strukturave të PS-së Beqiraj shpreh zhgënjimin e tij.

“Nuk mund të gjykoj dot duke mos qenë pjesë e strukturave të PS-së aktualisht, sepse çuditërisht në 2007 kur unë shkova të marr pjesë në një votim, nuk e kisha emrin as në listë. Unë protestova dhe iu thashë se pse nuk më kanë vënë në listë, por nuk mora një përgjigje dhe në këto kushte e ndjeva vetë se duhet që qëndroja mënjanë. Ajo që mund të them është se nga bisedat që bëj me njerëzit mungon jeta aktive e partisë, ai bashkëpunim, ai solidaritet që kishim ne dikur. Njerëzit kështu thonë dhe unë kështu e ndjej dhe besoj se është kështu”.

 

Nuk i shkon PS-së përdorimi i forcës. Në gjykonim ndryshe, ne donim që ta merrnim pushtetin nëpërmjet një rruge demokratike dhe paqësore dhe e arritëm këtë. Kjo është natyra reale e PS-së, si një nga pasuritë e mëdha të demokracisë shqiptare. Nuk dua të bëj këtu një krahasim me opozitën e sotme, por vetëm me kundërshtarin tonë politik

Meritokracia

Duke analizuar një nga problemet më të ndjeshme të politikës së sotme që ka të bëjë me meritokracinë dhe dallimin në mes viteve 90-të dhe aktualisht, Beqiraj shton se në vitet 90-të dhe më pas niveli i përfaqësimit ka qenë në nivele të kënaqshme dhe sipas kontributeve dhe meritokracisë.

“Nëse nuk ishe njeri me reputacion, me kontribute dhe i aftë profesionalisht, në atë kohë nuk mund të bëje karrierë partie. Sot çuditërisht shikoj se ka raste kur njerëz pa kontribute dhe të paaftë profesionalisht kërkojnë të bëjnë karrierë partie. Po ju përmend një rast kur një person i cili është pushuar nga punëdhënësi i tij, sot jep mendime dhe merr pjesë në stafin e atyre që bëjnë projekte për zhvillimin ekonomik të vendit. A e kuptoni se çdo të thotë kjo. Nëse nuk ke integritet profesional, marrja me politikë është vetëm për të zhvatur dhe i bën një dëm të madh subjektit që përfaqëson dhe vendit”.

Ish-deputeti thotë se njerëzit me kontribute janë një pasuri shumë e madhe. “Në qendër kanë menduar që të bëjnë Këshillin e të Urtëve. Më duket një gjë pozitive, por problemi është se sa dëgjohet realisht mendimi i këtyre njerëzve. Shpesh herë shikon se të mëdhenjtë e politikës si Servet Pëllumbi, Rexhep Mejdani apo Fatos Nano shprehin mendime ndryshe, çka do të thotë se janë të pakënaqur dhe se mendimi i tyre nuk merret në konsideratë. Unë nuk dua të bëj krahasime, pasi çdo krahasim çalon, por nuk mund të jesh i suksesshëm në politikë dhe nuk mund të bësh karrierë nëse nuk ke një karrierë tënden, nëse nuk ke një përvojë dhe të dish që në situata delikate të mbash qëndrimet e duhura. Sot për të sharë dhe për të folur kundër Berishës, kundër Ramës, kundër Nanos janë gjëra të thjeshta, çështja është të shikosh larg dhe të dish t’i orientosh njerëzit në drejtimin e duhur”.

Duke komentuar një fenomen që vihet re sot dhe që ka lidhje me ndikimin e fortë që kanë kryebashkiakët e majtë si Gjika, Dako etj. në degët e PS-së në rrethe, Beqiraj thotë se nuk i ka verifikuar personalisht këto raste, por në parim mendon se një kryetar bashkie as de juro dhe as de facto nuk mund të bëjë detyrën e kryetarit të partisë dhe anasjelltas. “Unë nuk jam për drejtues kukulla që zbatojnë si papagall orientimet nga lart, por për njerëz vizionarë, profesionale dhe të ndershëm, që dinë të thonë mendimin e tyre”.

KARRIERA

Kush është Zihni Beqiraj

Ndryshimet demokratike në vitin 1990 e gjetën Zihni Beqirajn në detyrën e përgjegjësit të arsimit dhe kulturës, ekuivalente e drejtorit të arsimit për rrethin. Në vitin 1991 kur komitetet ekzekutive u bënë plurariste, tavolina politike gjykoi që ai të mbetej në detyrën e përgjegjësit të seksionit të arsimit të rrethit të Durrësit, por më pas detyrohet të largohet. Deri në mars të vitit 1992 ka qenë një socialist i thjeshtë. Në këtë periudhë, kur nuk kishte një ekonomist apo inxhinier për të përfaqësuar PS-së, pranon detyrën e nënkryetarit të Komitetit Ekzekutiv pluralist në rreth. Me mbarimin e këtij mandati, rikthehet në PS në detyrën e sekretarit. Në vitin 1997 zgjidhet deputet i Kuvendit të Shqipërisë, mandat që e mbyll në vitin 2001. Në vitin 2002-2007 drejton Agjencinë Kombëtare të Privatizimeve e më pas shkëputet nga politika aktive. Aktualisht drejton shoqatën kulturore “Ulqini”, pa harruar pasionin e rinisë, kompozimin e këngëve. Shkruan “O nënë jemi të lirë” të kënduar nga Kastriot Tusha, “Në përjetësi” të kënduar nga Sherif Merdani, “Sa ka mall Shkodra për ty” të kënduar nga Bujar Qamili etj.