TIRANË- Partia Socialiste la dje të kuptohej se kërkesa e tyre për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për shtimin e popullsisë në Qarkun e Kukësit, pritet të rrëzohet sot nga mazhoranca në seancë plenare. Sekretari për çështjet zgjedhore i selisë rozë, Damian Gjiknuri tha se ky refuzim përbën dosjen e parë të manipulimit të zgjedhjeve. 

Ndërkohë, Kuvendi do të marrë sot në shqyrtim paketën fiskale për vitin 2013. Janë disa projektligje, që drejtojnë një mori çështjesh, duke nisur me tarifat doganore të importit të kafesë së papjekur, e cila përpunohet në vend, me vendosjen e një tarife të re për eksportin e lëndëve të drurit, aplikimin e nivelit të ri për gjobat në deklarimin e punonjësve, procedurat e reja të regjistrimit në QKR për përfaqësuesit tatimorë, çregjistrimin e biznesit, modeli i ri, si dhe heqja e TVSH-së për importin e makinerive dhe pajisjeve. 

Zëvendësministri i Financave, Alfred Rrushaj, gjatë prezantimit të kësaj pakete fiskale, u shpreh se këto ndryshime do të ndikojnë në lehtësimin e të bërit biznes për operatorët ekonomikë si dhe do të bëjnë të mundur uljen e evazionit fiskal. 

Por kjo është kundërshtuar nga deputetët e opozitës, sipas të cilëve këto ndryshime ligjore nuk u adresohen dhe nuk mbrojnë bizneset apo qytetarët, si dhe s’kanë efekt pozitiv në buxhetin e shtetit.