Partia Socialiste ka kërkuar ditën e sotme çregjistrimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet lokale të 14 majit, në bashkinë e Shijakut.
Në kërkesën dorëzuar në KQZ, bëhet me dije se kandidati Rezart Tusha rezulton i dëbuar nga Zvicra në vitin 1997, për posedim të lëndëve narkotike, duke iu ndaluar hyrja në Zvicër për pesë vite.
Në dokument sqarohet se një vepër e tillë penale, referuar ligjit të dekriminalizimit, shërben si arsye që kandidati të skualifikohet nga gara.
“Nëpërmjet medias elektronike, subjekti zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë është vënë në dijeni të fakteve se kandidati Rezeart Tusha, përfaqësues i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Bashkinë Shijak, është regjistruar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Kodin Zgjedhor dhe ligjin Nr. 138/2015 “Për garantimin e integritet të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i ndryshuar.
Më datë 4 Prill 2023 në shtypin e përditshëm është botuar shkrimi sipas të cilit “Kandidati i Sali Berishës për Bashkinë e Shijakut, Rezart Tusha, rezulton i dëbuar nga Zvicra në kuadrin e operacionit “Hydra” në vitin 1997, për posedim të lëndëve narkotike, duke iu ndaluar hyrja në Zvicër për pesë vite, një vepër penale kjo që sipas ligjit të dekriminalizimit të skualifikon nga gara për kryetar bashkie”, thuhet në kërkesën e PS.
Në dokument thuhet gjithashtu se kandidati nuk e ka deklaruar në formular një fakt të tillë, çka përbën vepër penale përveçse e skualifikon nga gara për qytetar të parë të kësaj bashkie.