Komisioni i Garancive Statutore në Partinë Socialiste ka rrëzuar pretendimet e Ben Blushit dhe një grupi deputetësh mbështetës të tij, të cilët kërkojnë kryerjen e zgjedhjeve për kryetar sipasparimit "një anëtar, një votë". Komisioni vlerëson se mënyra e zgjedhjes së kryetarit është tagër i Kongresit, që do të mbahet në 19 mars.

"Kongresi Zgjedhor i thirrur mund të ndryshojë rendin e ditës së mbledhjes së tij me shumicë votash, si dhe ka të gjitha kompetencat dhe tagrin për të realizuar çdo ndryshim të Statutit, përfshirë mënyrën dhe procedurat e zgjedhjes së organeve qëndrore, nëpërmjet zgjedhjes sipas parimit “një anëtar, një votë”, apo sipas parimit të zgjedhjes nga organet përfaqësuese. Mënyra e zgjedhjes së kryetarit të PS është atribut dhe kompetencë e Kongresit të Partisë, nga ku burojnë edhe Statuti dhe Programi,” – thuhet në raportin e këtij Komisioni, që mban firmën e kryetarit Alket Hyseni.

Komisioni i Garancive Statutore ka legjitimuar edhe mandatin e kryetarit Rama dhe organeve të PS, megjithëse ka kaluar më shumë se 4 vjet nga zgjedhjet e fundit të kësaj partie. “Organet politike, individuale apo kolegjiale, që kanë funksione përfaqësimi, janë legjitime deri në zëvendësimin/rizgjedhjen e tyre nga organi i përfaqësuar apo një organ tjetër më i lartë i përcaktuar," – thuhet ne raportin e Komisionit te Garancive Statutore.