TIRANE – Duke marrë shkas nga deklarimet e ditëve të fundit të Dhomave amerikane dhe gjermane të Tregtisë, deputetja socialiste Mimi Kodheli, gjatë një konference për shtyp ka deklaruar se niveli i korrupsionit në organet tatimore e doganore dhe arbitrariteti i tyre në cenimin e qetësisë e të sigurisë së biznesit po kthehet në makth.
“Niveli i korrupsionit në organet tatimore e doganore dhe arbitrariteti i tyre në cënimin e qetësisë e të sigurisë së biznesit po bëhet makth. Mbledhja e taksave është bërë biznes i paligjshëm në dëm të biznesit të ligjshëm. Moszbatimi i ligjit, paparashikueshmëria dhe procedurat administrative arbitrare po e rrënojnë ekonominë duke rrënuar rrugët e sipërmarrjes. Bizneset e huaja që operojnë në Shqipëri kanë deklaruar se Shqipëria po merr namin e një vendi tepër të korruptuar, ku administrata doganore e tatimore kërkon ryshfete në vend se të bëj detyrën; ku qeveria është e verbër ndaj degradimit të situatës dhe e shurdhët ndaj ankesave e problemeve të komunitetit të biznesit.
Sipas PS-së biznesi po persekutohet në mënyrë të vazhdueshme nga korrupsioni dhe arbitrariteti i administratës tatimore e doganore në vend.
Kodheli ka ritheksuar angazhimin e PS, për ngritjen e një ure komunikimi konstant Qeveri –Biznes, me një këshill të zgjedhur nga vetë biznesi; për mostolerimin e asnjë padrejtësie të organeve tatimore apo doganore; për zëvendësimin e sistemit të padrejtë të taksës së sheshtë, me një sistem të ndershëm taksimi.





