Pas pakënaqësive të disa deputetëve të grupit të tij parlamentar, kryeministri Edi Rama ka thirrur ministrat e tij që të raportojnë për punët para grupit. Mësohet se në mbledhjen e sotme të zhvilluar në selinë Partisë Socialiste kanë shkuar për raportim ministrat Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri dhe Ilir Beqaj.

Në disa mbledhje rresht deputetë të PS janë ankuar për mungesën e komunikimit me ministrat, prandaj pritet që ata të raportojnë të gjithë me radhë para grupit parlamentar.

Pas mbledhjes, ministri Arben Ahmetaj, teksa u pyet nga gazetarët, tha se nuk ishte një raportim specifik, por në përgjithësi për reformat. “U fol për tendencën shumë të konsoliduar të ekonomisë shqiptare, të konfirmuar edhe nga Standart & Poors, një ngjarje shumë e mirë për imazhin e vendit. Ndamë me grupin parlamentar pritshmërinë tonë pozitive për ekonominë,” – tha ministri Ahmetaj.