Partia Socialiste ka mbledhur Grupin Parlamentar ditën e sotme për të diskutuar në lidhje me amendamentet e opozitës, me anë të të cilave kërkohen ndryshime në buxhetin e vitit 2025. Aktualisht deputetet e mazhorancës po diskutojnë amendamentet dhe qëndrimin që do të mbajnë në seancën e nesërme plenare. Mbetet në pikpyetje nëse PS do mbështesë ose jo propozimet e bëra  nga opozita.

Nga ana tjetër, PS kërkon pjesmarrje të plotë të deputetëve më seancën e 3 dhjetorit. Ditën e martë, 3 dhjetor, lideri i demokratëve, Sali Berisha, pritet të kthehet në vendin e tij në Kuvend. Rikthimi i ish-kryeministrit vjen pas 11 muajve mungesë pasi prej 30 dhjetorit të 2023 ndodhej në masën “arrest shtëpie”. Berisha do të dorëzojë dy amendamente, të cilat sikurse e përcakton rregullorja prezantohen nga deputeti i cili i propozon.

I pari ka të bëjë me: “Pezullimin e të gjitha prokurimeve për investime publike luksi të qeverisjes qendrore, deri në momentin e miratimit me ligj të masës financiare të  minimumit jetik në Republikën e Shqipërisë”. Ndërsa i dyti me: “Ndalimin e çdo pagese për shpenzime operative luksi të qeverisjes qendrore, deri në momentin e rritjes reale të pensioneve”.

Ndërkohë, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi ditën e djeshme se demokratët kanë depozituar në Kuvend 34 amendamente për buxhetin e 2025. Përmes një postimi në rrjetet sociale, deputeti demokrat tha se: “me qëllim që Buxheti i Shtetit 2025 të mos jetë Buxheti i mirëqenies së Edi Ramës dhe një grushti njerëzish pranë tij, por të jetë Buxheti i qytetarëve dhe që siguron mirëqenien minimale të tyre, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar 34 amendamente”.