Partia Socialiste do të mbledhë të mërkurën Asamblenë Kombëtare, ku siç dihet për shkak të pandemisë do të zhvillohet online në orën 17:30.

Ditën e sotme është bërë publike axhenda e selisë rozë, e cila do të nisë me miratimin e Projekt-Vendimit “Për thirrjen e Kongresit të Jashtëzakonshëm të Partisë”.

Gjatë takimit do të kërkohet informacion mbi gjendjen dhe veprimtarinë e strukturave organizative të partisë si dhe do të miratohen disa projekt-vendime të tjera që kanë të bëjnë me zgjedhjet e reja në strukturat vendore të partisë, fushata e anëtarësimeve të reja, si dhe regjistrit dixhital të partisë.

Ndërkohë në “filtrin” e Asamblesë do të kalojë edhe rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, ku do të bëhet një analizë e rezultatit në strukturat vendore të PS.

Zhvillimi i Kongresit të PS, nuk do të shënojë vetëm 30-vjetorin e krijimit të partisë, por dhe fatin e drejtuesve të qarqeve në vend.