TIRANE ,13 korrik 2013 – Zbulohen katër emrat e deputetëve që do të konkurrojnë për kryetarin e grupit parlamentar të PS-së, me nisjen e sesionit të ri të Kuvendit, në fillim të shtatorit. Burimet nga PS bënë të ditur se kjo detyrë i është kërkuar ta bëjë Ben Blushit, deputetit të qarkut të Elbasanit, por ai e ka refuzuar. 

Ben Blushi e ka mbajtur më parë këtë post, por dha dorëheqjen në momentin kur 6 deputetë të grupit socialist thyen vendimin e grupit dhe votuan si President Bamir Topin. E pas refuzimit të Blushit, në radhë për këtë post mësohet se janë 4 kandidatë: Gramoz Ruçi, Pandeli Majko, Taulant Balla e Blendi Klosi. 
Ruçi mbetet sërish një kandidaturë që vazhdon të ketë përkrahjen e kolegëve të tij, për të kryesuar gjithë trupën ligjvënëse të socialistëve. Disa herë kryetar i grupit parlamentar, nuk dihet nëse këtë herë ai do ta pranojë këtë detyrë, të cilën e rimori në një kohë kur PS-së i duhej të bënte një opozitë të fortë. 
Një tjetër emër që lakohet është ai i ish-kryeministrit dhe njëherësh një prej krerëve që grupi parlamentar i PS-së ka pasur ndër vite, Pandeli Majko. Ai pati një detyrë të rëndësishme këtë herë, pasi kryesoi listën e kandidatëve për deputetë në qarkun e Tiranës dhe ende nuk dihet nëse do të pranojë të marrë edhe detyrën e kryesimit të grupit, tashmë që PS është në pushtet. Taulant Balla, aktualisht mban postin e sekretarit të grupit parlamentar. Është vlerësuar deri më tani për kontributet e tij. Madje së fundi, në Asamblenë Kombëtare, kryetari i PS-së, Edi Rama deklaroi publikisht kooptimin e tij në kryesinë e partisë, pas fitores së thellë që pati Librazhdi, ku Balla u zgjodh për të dytin mandat rresht si deputet. 
Një tjetër emër në listë është ai i sekretarit organizativ, Blendi Klosi. Ai është një nga bashkëpunëtorët e afërt të kryetarit Rama, dhe madje mjaft i vlerësuar sa i përket organizimit partiak. Gjithsesi këta mbeten emra që janë diskutuar në mjediset socialiste, por do të jetë pikërisht mbledhja e parë e grupit, në nisje të legjislaturës së re më 9 shtator, e cila do të detyrohet të zgjedhë edhe drejtuesit e grupit. 
Deri më tani, në postin e nënkryetarëve të grupit kanë qenë Vasilika Hysi, Erjon Braçe, Saimir Tahiri e Eduard Shalsi, ndërsa Taulant Balla ka mbajtur postin e sekretarit. Grupi i ri parlamentar u mblodh më 9 korrik, pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Në këtë mbledhje, Rama falenderoi deputetët për kontributin në fitoren e thellë të PS-së dhe koalicionit të saj. “Jam i bindur se kjo skuadër kombëtare e Rilindjes, skuadra që ju, secili prej jush pa asnjë përjashtim dhe secili prej atyre që sot nuk janë këtu, por ishin pjesë e skuadrës në fushën e ballafaqimeve elektorale, e bëtë fituese me punën, përpjekjet dhe kontributin tuaj të çmuar, do të jetë në lartësinë e sfidës së madhe që kemi për të rilindur Shqipërinë, dhe, mandatin e rëndë sa mali i problemeve e halleve të Shqipërisë, secili prej jush, secili prej nesh do ta mbajë me dinjitetin e një pjesëtari të denjë të kësaj skuadre”, – u tha Rama deputetëve. 

/gazeta shqiptare/