Deputetët e Partisë Socialiste kanë nisur sot procedurat për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

Sipas mediave, nëpërmjet një njoftimi u kërkohet deputetëve socialist që të paraqiten pranë Zyrës se Grupit Parlamentar për të firmosur propozimin për shkarkimin e presidentit.

“Të dashur kolegë, bazuar ne disa shkelje të rënda të Kushtetutës sipas parashikimeve të nenit 90, nga ana e Presidentit Ilir Meta përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore, në konsultim me Kryesine e Grupit Parlamentar kemi vendosur te iniciojmë Procedurën e Shkarkimit të Presidentit të Republikës. Për ketë qellim ju lutem siguroni prezencën tuaj pranë Zyrës se Grupit Parlamentar për të firmosur propozimin për shkarkimin e presidentit”– thuhet në njoftim.

Kujtojmë që kjo është hera e dyta që Meta përballet me procedurë shkarkimi. Edhe nëse Kuvendi do të vendosë për shkarkimin e tij, fjalën e fundin pritet ta japë Gjykata Kushtetuese.