Partia Socialiste ka nisur sot zyrtarisht fushatën elektorale në qytetin e Durrësit, ku po mbahet Kongresi i PS-së. Kongresi zhvillohet në pallatin e sportit “Ramazan Njala”, ku do prezantohen kandidatët për deputetë.
Kongresi i PS-së ishte parashikuar që të mblidhej më 29 prill, por u shty për shkak të krizës politike. Por data 9 maj është caktuar qëllimisht si dita kur do të mblidhet Kongresi, pasi përkon me ditën kur çelet zyrtarisht fushata elektorale për të gjitha partitë politike. Sipas Kodit Zgjedhor, partitë politike duhet të çelin fushatën elektorale 30 ditë përpara ditës së mbajtjes së zgjedhjeve.
PS e ka nisur më herët angazhimin për 18 qershorin, por, duke nisur nga 9 maji, fushata elektorale do të bëhet akoma më e egër dhe të gjithë kandidatët për deputetë, strukturat në bazë do të mobilizohen dhe do të intensifikojnë takimet me qytetarët në bazë, me qëllimin e vetëm garantimin e një mandati tjetër qeverisës PS-së.
Gjatë fjalës së tij në Durrës, kryeministri Edi Rama do të kërkojë një mandat të dytë nga qytetarët, për të çuar përpara reformat.





