TIRANË – Deputetët e Partisë Socialiste të Tiranës, Eglantina Gjermeni, Vasilika Hysi, Ledi Shamku, Eduard Shalsi dhe Sajmir Tahiri janë takuar sot me anëtarët e shoqatës së para dhe tetra plegjikëve, të cilëve u kanë shpërndarë një sasi ndihmash ushqimore me rastin e festave të fundvitit.

Para dhe tetraplegjikët kanë theksuar gjatë takimit se PS është e vetmja forcë politike që i ka mbështetur ata në kërkesat e tyre legjitime. 

Kryetari i PS-së së Tiranës, Sajmir Tahiri, i ka garantuar anëtarët e kësaj shoqate për mbështetjen që do të kenë nga kjo forcë politike si sot në opozitë edhe nesër në qeverisje. “Jemi shpirtërisht me ju sot në opozitë dhe ju garantoj edhe në emër të kryetarit të PS-së, Edi Rama, edhe në emër të kolegëve të tjerë deputetë, se siç jemi sot shpirtërisht me ju në opozitë, pas 23 qershorit të vitit të ardhshëm, kur ne të fitojmë zgjedhjet do jemi akoma më shumë në mbështetjen tuaj, jo vetëm për t’ju gjendur financiarisht, por edhe për t’ju përfshirë si forcë aktive e shoqërisë në qeverisjen e punëve të këtij vendi”,- ka deklaruar Tahiri.

Më pas të rinjtë socialistë kanë shpërndarë pakot me ndihma, të cilat konsistonin kryesisht në mallra ushqimore të shportës bazë si dhe pije freskuese. Shpërndarja u bë në bazë të listave të shoqatës së paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve dhe prej tyre përfituan 200 anëtarë të kësaj shoqate.