Socialistët dhe demokratët do të ndajnë mes tyre anëtarët e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor.

Dy partitë e mëdha do të ndajnë mes tyre edhe anëtarin e shtatë të KZAZ-ve.

Vetëm LSI nga partitë e tjera parlamentare do të ketë një anëtar në komisionet që do të administrojnë zgjedhjet e 30 qershorit 2019.

Në mbledhjen e KQZ –së, PD dhe LSI-së ishin të papërfaqësuara.

Klement Zguri: Tre anëtarë propozohen nga Partia Socialiste e Shqipërisë; dy anëtarë propozohen nga Partia Demokrratike e Shqipërisë;një anëtar propozohet nga Lëvizja Socialiste për Integrim; anëtari i shtatë i KZAZ-ve do të propozohet në përputhje me rezultatet e shortit të hedhur në KQZ, ndërmjet Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe Partisë Demokratike të Shqipërisë. Partitë politike të sipërcituara, duhet të paraqesin kandidaturat për anëtarë të KZAZ-ve jo më vonë se data 18.03.2019.

Kjo ndarje e bërë në mbledhjen e KQZ-së la të pakënaqur përfaqësuesin e PDIU-së.

"Kjo frymë e këtij ligji nuk zbërthehet në këtë proces që ne po bëjmë, të paktën këto 2-3 vitet e fundit dhe sot më duket sikur po i vihet vula e shkatërrimit të këtij procesi demokratik të zgjedhjeve".

Sipas shortit të hedhur në mbledhjen e Komisionit, Partia Socialiste do të propozojë anëtarin e shtatë të KZAZ-ve të renditura me numër çift, ndërsa Partia Demokratike do të propozojë anëtarin e shtatë të KZAZ-ve të renditura me numër tek.

Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri dhe nënkryetari Denar Biba debatuan në mbledhje në lidhje me buxhetin për edukimin e votuesve, që përfshin edhe spotet që do të shpërndahen në media.

Klement Zguri: Propozimi yt ndryshon për 24 orë, kjo është e tmerrshme. Dje ramë dakord dhe ishte propozimi yt. Vjen tani dhe ma kthen. Minimalisht pak respekt, të na e thoshe përpara.