Tiranë, 27 prill 2014 – Akuzat e ngritura së fundmi nga opozita, Partia Socialiste i ka quajtur “fantazi që gajasin dynjanë”. Në një prononcim për mediat, deputetja Olta Xhaçka ka ftuar Partinë Demokratike që të çlirohet nga ata që i cilësoi si pengmarrësit e saj. Vendit po i mungon një opozitë e përgjegjshme – theksoi Xhaçka.

“Opozita po kalon ditë të turbullta me avionë imagjinarë që ulen nëpër rrugët e vendit, me naftën që rritet e bllokon lëvizjen e makinave, me ilaçet që shtrenjtohen përditë dhe me gjithfarë fantazish që po gajasin dynjanë. Por nuk është aspak për të qeshur sepse një opozitë e turbulluar kaq keq, është një problem i madh për shoqërinë. Shqipërisë nuk i duhet vetëm një Qeveri e përgjegjshme si kjo që kemi, por edhe një opozitë e përgjegjshme që fatkeqësisht po na mungon gjatë. Ne urojmë dhe shpresojmë me gjithë zemër që Partia Demokratike të bëjë një orë e më parë atë që populli shqiptar bëri në 23 qershor dhe të çlirohet nga pengmarrësit e saj. Sepse një Parti Demokratike e çliruar prej të shkuarës është garancia që imungon sot në opozitë Shqipërisë ”, – tha Xhaçka.

Ajo i kërkoi demokratëve të ndryshojnë strategjinë e tyre opozitare.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/