Zëvendëskryeministri Niko Peleshi, që është edhe anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste, ka sqaruar sot atë çfarë nënkuptohet me konfirmin të kreut aktual të Partisë Socialiste. Me fjalë të tjera, ai ka sqaruar të gjitha keqkuptimet që mund të kishte edhe Ben Blushi mbi proçesin e konfirmimit. “Kongresi, sipas statutit, do të shprehet vetëm për të rikonfirmuar mandatin e kryetarit aktual, si edhe reformave të ndërmarra nga qeveria,” – ka thënë Peleshi.

Partia Socialiste prej dy muajsh është në fazën e ristrukturimit të forumeve, ndërkohë që delegatët që do të dalin nga zgjedhjet në organizatat vendore do të votojnë në kongres, që do të zhvillohet më 19 mars. Pak ditë më parë, Saimir Tahiri, një tjetër anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste, tha se, në rastet kur partia është në pushtet, kryetari nuk ka nevojë të zgjidhet sipas parimit “një anëtar, një votë”. Kjo deklaratë e Tahirit u interpretua sikur zgjedhjet për kryetarin e socialistëve do të zhvilloheshin në kongres.