Partia Socialiste ka nisur një proçedurë sqaruese ndaj bashkëshortes së Kosta Barjabës, Fatbardha Barjaba, e cila është anëtare e Asamblesë së PS. Burime brenda PS informojnë se proçedura ndaj Fatbardha Barjabës do të kryhet prej Komisionit të Garancive Statutore. 

Sipas të njëjtave burime, Kosta Barjaba nuk ka asnjë detyrë përfaqësuese në Partinë Socialiste, por ai thjesht ka kontribuar vullnetarisht në një grup pune për çështjet sociale, si akademik me përvojë në këtë fushë. 

Burime konfirmuan për Top-Channel se asnjëri prej të dyve s'do të mund të ofrojë më tutje kontributin e vet për Partinë Socialiste, deri në zbardhjen e plotë të çështjes ku janë përfshirë. 

Kjo proçedurë është konfirmuar zyrtarisht edhe nga kryetari i PS për Tiranën, Saimir Tahiri, përmes një deklarate për shtyp në të cilën konfirmohet lajmi në lidhje me nisjen e një proçedure të plotë sqaruese nga ana e Komisionit të Garancive Statutore të Partisë Socialiste për pozitën e anëtares së organizatës numër 1896 në Tiranë, Fatbardha Barjaba në raport me ngjarjen e bërë publike tanimë. 

“Kjo është një proçedurë e kërkuar nga unë si kryetar i PS së Tiranës, duke vlerësuar qoftë pamundësinë që Fatbardha Barjaba të kontribuojë në çfarëdo roli për PS në kushtet kur mbi të rëndon një pozitë e papajtueshme me vlerat e familjes sonë politike, por qoftë duke njohur edhe të drejtën e saj për të dhënë në një instancë statutore të partisë sqarimet e veta”, thuhet në deklaratën e zotit Tairi. 

“Sigurisht, ajo mund ta bëjë këtë nëse e dëshiron një gjë të tillë dhe nëse ka prova që e lehtësojnë pozitën e vetë, e cila e përsëris se në këto kushte është e papajtueshme me vlerat e familjes sonë politike”, vijon deklarata. 

“Sa për Kosta Barjabën, ai nuk është anëtar i Partisë Socialiste dhe besoj se normalisht nuk ka çfarë kontribuon më tutje, as në aspektin akademik lidhur me programin tonë, nëse pozita e tij publike mbetet kjo që është dhe nuk dalin prova të besueshme që ta ndryshojnë versionin zyrtar të kësaj ngjarjeje thellësisht të papëlqyeshme”, e mbyll deklaratën kreu i PS së Tiranës. 

Në lidhje me këtë ngjarje pati një deklaratë edhe nga Partia Demokratike, që përmes zëdhëneses së saj u shpreh se PS duhet ta shkarkonte Barjabën. 

“Ky akt i shëmtuar fakton edhe një herë se “Rilindasit” e neobllokmenëve vjedhin, por “me lezet”, siç shprehej njëri prej tyre pak kohë më parë. Kurse sekretari për programin e Partisë Socialiste për çështjet sociale dhe ndihmën ekonomike u dëshmua se është një xhepist i thjeshtë. I kërkojmë zotit Edi Rama të shkarkojë menjëherë xhepistin e tij nga funksionet e larta që ai i ka besuar, në rast se vetë nuk ndan trofetë që ky kleptoman siguron me profesionin e tij. Përpjekjet e zëdhënësëve të Partisë Socialiste dhe të mediave që Rama kontrollon, për të mbrojtur aktin e shëmtuar të sekretarit Kosta Barjaba, dëshmon se “Rilindja” e Ramës nuk është gjë tjetër vecse "Rilindje" e hajduteve”, deklaroi zëdhënësja. 

Barjaba dhe familja drejt gjykatës 

Kosta Barjaba, bashkëshortja e tij, Fatbardha Barjaba dhe vajza 23-vjeçare u ndaluan në 27 dhjetor nga policia e Palo Altos, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një qendër tregtare me akuzën e vjedhjes. 

Një zëdhënës i prokurorisë së rajonit Santa Klara në Kaliforni ka thënë se pritet dalja e Barjabës dhe gruas e vajzës së tij në gjykatë për t’u shprehur nëse e pranojnë apo jo akuzën. 

Mësohet se të tre ata janë liruar nga burgimi. Ndërkohë një zëdhënës i policisë lokale ka thënë se policia i qëndron pozicionit të saj se vjedhja është kryer. 

Zëdhënësi ka mohuar deklaratën e zotit Barjaba se e kishin ndaluar për parregullësi me patentën dhe ka konfirmuar se ai u arrestua për vjedhje në qendrën tregtare të frekuentuar nga të pasurit.