BERAT, 20 prill 2013- Partia Socialiste prezantoi sot në qytetin e Beratit programin për ‘Rilindjen e Shqipërisë’ programi i parë në 22 vjet që sic tha kryesocialisti Rama, nuk është për tu hedhur në kosh por për ta vënë në tryezën e këshillit të ministrave, për të ndarë punën dhe për të filluar rrugën e rilindjes. 

Rama nënvizoi para qytetarëve të Beratit se Shqipëria po përjeton sot një sistem hibrid, nga i cili duhet të ndahemi njëherë e mirë. Ëndrra e studentëve të dhjetorit, për ta parë Shqipërinë si gjithë Europa nuk është bërë ende realit, vijoi kreu i PS. 

“Askush prej nesh nuk mund ta imagjinonte se 20 vjet pas rënies së regjimit të vjetër situata do ishte e tillë. Askush nuk përfytyronte se pas 20 vjetësh ne do ishim në një gjendje të tillë ku Shqipëria jonë do ishte sëkëlldi. Kush e mendonte që pas 20 vitesh rruga nga Tirana në Berat do ishte kaq e vështirë për tu kaluar, Kush e mendonte nga ata që iu bashkuan lëvizjes studentore, kush e mendonte që do ta kishin të pamundur t’i mbijetonin faturave të energjisë e të ilaceve, se do ta kishin të pamundur të arrinin fundin e muajit me pensionet që marrin. Kush mund ta mendonte se Shqipëria si gjithë Europa do ishte ende një ëndërr e parealizuar”, tha ai. 

Gjatë fjalës së tij, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, komentoi raportin e DASH-it, si pasqyrimin në sytë e botës të një Shqipërie të turpëruar për shkak të një pushteti të korruptuar. Referuar këtij raporti, Rama tha se "institucionet e shtetit, përfshi dhe KQZ-në, janë në dorën e partisë-shtet, çka ka bërë që të gërryhet besimi i qytetarëve tek shteti". 

Duke iu referuar gjendjes së rrugës që të con në Berat, Rama i bëri thirrje banorëve të mos japin asnjë votë për kundërshtarin e tij. 
“Është e pamundur të mos përfshihesh nga turpi kur merr dhe lexon raportin e DASH dhe të nesërmen të kalosh nëpër një rrugë të tmerrshme. Këtu Sali Berisha nuk duhet të marrë asnjë votim nëse njerëzit kanë respekt për veten, si t’i japësh votë, shiko në cfarë gjendje është rruga juaj në 8 vjet qeverisje”, tha Rama. 

Kryesocialisti tha më tej se, “Bindja jonë është se në Shqipëri ka mbaruar një epokë e modelit kuturu, të një familje me një kryefamiljar komplet të dehur që ha ushqimin e gjithë javës që të hënën. Na duhet një model i bazuar tek punësimi real, industritë prodhuese, manifaktura në radhë të parë, tek zhvillimi real urban”, tha ai. 

Në fund ai premtoi se, “Ne do ta rilindim Beratin, do ju japim të gjithë atyre që vijnë në këtë qytet atë shije dhe dëshirë për të ardhur këtu, që e ka humbur në 22 vjet. Këta që sot qeverisin nuk e duan këtë vend”, u shpreh ai.