Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste ka nisur punimet, por mediat janë lënë të shohin e të dëgjojnë vetëm një pjesë të punimeve. Përfaqësuesit e mediave nuk janë lejuar të hyjnë në sallë e ta ndjekin nga afër këtë mbledhje të rëndësishme të Asamblesë Kombëtare të PS. Ata kanë mundur të qëndrojnë jashtë sallës së mbledhjes dhe kanë dëgjuar dhe parë vetëm atë që PS ka lejuar që të shihet e të dëgjohet, në një monitor të vendosur enkas për ta.
Fjala e kryesocialistit dhe kryeministrit Edi Rama u pa dhe u dëgjua e plotë. Duke marrë fjalën e rastit kryeministri Rama tha se gjatë këtyre viteve ka pasur rrëzime dhe ngritje, por rëndësi ka, sipas tij, që si të zgjedhur të PS, të mundohen që të bëjnë punën deri në fund. “Nëse për ndonjë arsye apo një tjetër mund të jem treguar i vogël ndaj secilit prej jush, ju kërkoj ndjesë. Por në këta 30 muaj kemi treguar shumë për vlerën kombëtare të PS, sepse kemi bërë shumë për Shqipërinë e sotme dhe të gjeneratave që do vijnë. Në rrugën drejt zgjedhjeve të 2017 na duhet një PS e reformuar, e transformuar rrënjësisht në përbërjen e saj sociale, një PS aktive në komunikim me çdo komunitet,” – u shpreh kreu i PS.
Rama nënvizoi se parti politike, tribuna mediatike të rreshtuara kundër për arsye të qarta apo të paqarta, grupe interesi jolegjitime të prekura nga reformat, individë që i bashkohen këtij fronti, natyrshëm do të duan t’i zmbrapsin. Por, siç tha ai, do vazhdohet përpara që të qeveriset me kurajo dhe vendosmëri në programin për të rilindur Shqipërinë dhe për të fuqizuar forcën e gjithë transformimit. “Sa për kriminelët në parlament, janë fryt i një politike që mllefin e ka më të gjatë se turpin dhe gjuhën më të gjatë se shpinën. Denoncime të paskrupullta ndaj çdo pune që sjell një produkt real. Koha që jemi marrë me ta ka qenë një kohë e humbur, të cilën ua kemi hequr qytetarëve,” – tha Rama.
Kreu i PS tha se statuti i partisë nuk është respektuar për zgjedhjen e tij kryetar dhe për këtë, tha ai, mendimet janë të ndryshme. Ai sqaroi se nuk ka shans që partia të ndalojë udhëheqjen e vendit në një moment të rëndësishëm për reformat dhe të hyjë në zgjedhje, sipas tij, të kota për një procedurë të brendshme statutore. “Kur statuti është bërë, bie alibia, kurse qëllimi është rrëzimi i qeverisë, ndryshimi i kursit qeverisës, për të cilat kanë votuar 1 milionë njerëz. Barcaleta të tjera nuk mund ta shfokusojnë në rrugën e reformave për të bërë shtet. Do ta vendosin socialistët çështjen e mandatit tim, socialistët në gjithë Shqipërinë, le të shkojmë me referendum nëse mandati im ndërpritet apo ripërtërihet automatikisht. Që ata që nuk na duan të mos na duan edhe më shumë, ndërsa ata që na duan, të na duan dhe mbështesin sa më shumë,” – deklaroi Rama.
Pas fjalimit të Ramës është zhvilluar një pushim i shkurtër dhe punimet e Asamblesë Kombëtare të PS kanë rifilluar. Por, në këtë moment, punimet e Asamblesë Kombëtare nuk kanë qenë më publike. Tashmë mediat nuk kanë patur mundësinë të mësojnë se çfarë është duke ndodhur brenda mbledhjes. Gjatë punimeve të Asamblesë Kombëtare të PS është parashikuar të flaës edhe deputeti Ben Blushi, por fjala e tij nuk do të mund të shihet e të dëgjohet.