Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht edhe kryetari i Partisë Socialiste, vlerësoi sot si të domosdoshme reformat e ndërmarra nga qeveria, të cilat, sipas tij, janë të dhimbshme, por janë e vetmja rrugë për të bërë shtet e për të transformuar hapësirën e ndërveprimit. Nga selia e Partisë Socialiste, gjatë një takimi në Tiranë në kuadër të anëtarësimeve të reja, Rama tha se "ekonomia po jep shenja inkurajuese rimëkëmbjeje dhe duhet dyfishuar energjia pozitive në mbështejte të reformave."
"Anëtarësimet janë në funksion të shërbimit të vetes dhe familjes, – u tha Rama socialistëve më të rinj. – Sot, në këtë proces të rëndësishëm anëtarësimesh të reja, kemi shumë gjëra për të thënë. Pas dy vitesh e gjysmë në krye të qeverisë, jemi të inkurajuar nga rezultatet e para të reformave të thella dhe të rëndësishme që kemi ndërmarrë. Na vjen mirë që mund t’i themi njerëzve se kanë arsye të forta që të bëhen pjesë e PS. Falë mbështetjes që PS mori për drejtimin e vendit, njerëzit paguajnë tashmë më pak taksa”, tha kreu i qeverisë, i cili renditi edhe arsye të tjera, të cilat, sipas tij, duhet të bindin njerëzit të bëhen pjesë e Partisë Socialiste… Partia Socialiste është forca e duhur për të përmirësuar situatën në vend."





