TIRANE – Menjëherë pas deklaratës së Argita Berishës, ku vajza e kryeministrit ka sulmuar me fjalë të ashpra kreyesocialistin Rama për sa i përket deklarimit të të ardhurave të tij, ka reaguar Partia Socialiste nëpërmjet një njoftimi për shtyp. Fillimisht, Drejtoria e Komunikimit e Partisë Socialiste shpreh keqardhje të thellë, për reagimet pa edukatën më elementare të fëmijëve të kryeministrit ndaj një kërkese legjitime të opozitës që ata të provojnë publikisht burimet e të ardhurave të tyre.
PS-ja u ka kërkuar me mirësjellje fëmijëve te kryeministrit të mësojnë rregullat themelore të edukatës qytetare, duke theksuar se në një demokraci është një nevojë elementre të provosh se fitimi i parave nuk ka lidhje me pushtetin e një pjesëtari të familjesh.
“Argita dhe Shkëlzen Berisha duhet ta mësojnë se është detyrim elementar i tyre që me mirësjellje t'i shpjegohen opinionit publik lidhur me pasurimin e tyre mbresëlënës në harkun e një viti. Ata duhet të provojnë me fakte të dokumentuara se ky pasurim i pamundur për shqiptarët e zakonshëm nuk ka lidhje me pushtetin e babait të tyre. Kjo është një nevojë elementare demokratike dhe një detyrë elementare e qeveritarëve në demokraci po ashtu. Prandaj as vajza e as djali i kryeministrit nuk kanë pse reagojnë pa asnjë minimum etik, duke ndotur mjedisin publik me fjalë të ulëta dhe duke e bezdisur opinionin publik me përsëritjen e shpifjeve që prej vitesh babai i tyre lëshon sistematikisht ndaj kryetarit të Partisë Socialiste”, thuhet në njoftin e PS-së
Në njoftim theksohet fakti se reagimi i ashpër i fëmijëve të kryeministrit ndaj kërkesës për transparencë të opozitës tregon se ata kanë gjëra për të fshehur.
“Fatkeqësisht gjithçka thonë në reagimet e tyre të paedukuara Argita e Shkëlzen Berisha janë pjesë të shkëputura nga libri i të sharave të babait të tyre ndaj Edi Ramës. Fëmijët e kryeministrit kanë shumë për zemër të përmendin fjalën gjykate, por në afro 30 padi për shpifje në gjykatë nga ana e Edi Ramës, as Sali Berisha e as shpifësit e oborrit të tij s'kanë mundur të provojnë asgjë nga çfarë kanë lëshuar në gjithë këto vite ndaj kryesocialistit. Por sidoqoftë, Argita dhe Shkëlzen Berisha s'duhet të kapen pas librit të shpifjeve të babait për të shkruar reagimet e tyre. Sepse faktikisht kështu nuk provojnë se është gabim opozita që u kërkon transparencë, por se janë ata që kanë gjëra për të fshehur. Përndryshe kjo çështje do ishte mbyllur me kënaqësinë tonë më të madhe dhe me paqen e plotë të opinionit publik, nëse fëmijët e kryeministrit do të kishin vënë në dispozicion të medias dokumente të cilat do të provonin pastërtinë e fitimeve të tyre të habitshme brenda një viti”, vijon njoftimi i socialistëve
Njoftimi mbyllet duke u bërë thirrje Argita dhe Shkëlzen Berishës të marrin shembull nga PS-ja dhe t’u referohen dokumenteve për çdo deklarate që ata kanë bërë.
“Duke e mbyllur për këtë vit këtë polemikë të sajuar nga fëmijët e kryeministrit për t'iu shmangur transparencës me publikun, mbeten të hapura të gjitha pyetjet e ngritura prej opozitës ndaj Argita e Shkëlzen Berishës. Dhe ne nënvizojmë sidoqoftë se për sa i takon çdo insinuate të bërë sot, pa asnjë lloj etike nga Argita Berisha për persona të tjerë, familjarë apo kolegë të kryetarit të PS, vajza e kryeministrit bën mirë të marrë shembull prej nesh duke iu referuar dokumenteve e fakteve, jo lumit shumëvjeçar të shpifjeve të babait të saj. Me këtë rast Drejtoria e Komunikimit të Partisë Socialiste u uron Argita e Shkëlzen Berishës që 2013 të jetë vit i ndryshimit edhe në sjelljen e tyre ndaj publikut dhe në gjuhën e papranueshme që ata kanë përdorur deri sot në komunikimin publik”, përfundon njoftimi.