TIRANË, 18 shkurt 2013– Partia Socialiste, nëpërmjet anëtarit të grupit të punës për programin, Artan Lame kundështoi sërisht të hënën planin rregullues të kryeqytetit. Në vazhdën e deklaratave të mëparshme, gjatë një deklarate për mediat, Lame i cilësoi pjesë të caktuara të këtij plani si “sëpatë mbi hapësirat e gjelbra të Tiranës”.
Duke iu referuar edhe shqetësimeve të qytetarëve, sipas tij të mbërritura në selinë e PS-së, ai u përqendrua kryesisht në pikën 32 të planit rregullues, ku siç u shpreh ai, parashikohet zënia e dy skarpatave të gjelbëruara të lumit Lana nga ndërtimi i tramit.
“Në vlerësimet që bëhen nuk flitet për ruajtje të parqeve dhe hapësirave të gjelbra ekzistuese, por për krijimin nuk e di se ku dhe si, të hapësirave të tjera”, theksoi ai.
Sipas Lames, janë disa parqe e lulishte që kthehen në sheshe ndërtimi. "Presim përgjigje nga zoti Basha për sheshet që preken nga ndërtimet. Aktualisht Tirana ka vetëm një brez të gjelbërt, i cili do të zihet nga tramvaji. Disa parqe e lulishte, sipas këtij plani, do të kthehen në sheshe ndërtimi".
Parashikimi në këtë plan, i shfrytëzimit për ndërtim në parkun e Namazgjasë, kur përfshihet edhe ngritja e një godine për institucion fetar, ishte një tjetër shqetësim që përcolli Artan Lame, gjatë këtij komunikimi. Ai tha se, “është e turpshme që një qëllim fetar i respektueshëm për të ndërtuar një tempull fetar, të përdoret si kalë troje për të ngritur pallate”.
Me tej ai theksoi se, “koeficienti i shfrytëzimit të tokës për përdorim ndërtimi, shkon 50 deri 70 % në këtë zonë, e cila është e vetmja lulishte e Tiranës e shpallur monument kulture”.
BASHKIA E TIRANËS: PO SULMOHET POLITIKISHT
Bashkia e Tiranës përmes një reagimi, shpreh keqardhjen lidhur me tendencën e vazhdueshme të ish- kryebashkiakut Edi Rama, për të sulmuar politikisht planin urbanistik të Tiranës.
“Për të disatën herë, z. Rama dhe z. Lame kanë përcjellë tek qytetarët deklarime të pavërteta rreth planit urbanistik. Ky plan u hartua në transparencë të plotë dhe me përfshirjen e ekspertëve më të mirë, pjesë e të cilëve ka qene edhe zoti Lame. Qëllimi i sulmit me prapavijë tërësisht politike ndaj këtij plani, synon thjesht dhe vetëm mbulimin e dështimit të mosbërjes së tij nga ish – kryebashkiaku Rama, për 11 vjet. Plani i përgjithshëm rregullues i Tiranës, jo vetëm nuk cënon hapësirat e gjelbra por parashikon shtimin e tyre’, thuhet në deklaratën e bashkisë së kryeqytetit.