TIRANE – Për Partinë Socialiste, privatizimi i 4 hidrocentraleve nga qeveria është një aferë korruptive, përmes së cilës shqiptarëve u është shkaktuar një dëm i madh. Në një konferencë për mediat, deputeti socialist Eduard Shalsi theksoi se PS nuk e njeh privatizimin e HEC-eve, që sipas tij është bërë me ngut për të përmirësuar financat e shtetit. 

“Ne nuk e njohim shitjen ose privatizimin e 4 HEC-eve që bëhen në kurriz të shqiptarëve. Dimë fare mirë situatën dramatike të financave shqiptare, por nuk mund të pranojmë të mbushen gropat e buxhetit në kurriz të interesave afatgjata të qytetarëve, nuk do ta lejojmë.”- deklaroi Shalsi. 

Sipas deputetit socialist, në dy shitjet e hidrocentraleve që ka bërë qeveria në një hark të shkurtër kohor është vërejtur një diferencë e madhe në çmim. 

"Hidrocentrali i Lanabregasit iu shit pushtetit vendor me një çmim prej 3 ml eurosh për 1 megavat fuqi e instaluar, ndërsa Ulza, Shkopeti dhe Bistrica 1 e 2 iu shitën një kompanie private me një çmim prej 1.4 ml eurosh për 1 megavat fuqi e instaluar. Nisur nga ndryshimi i çmimeve, rezulton se me shitjen e 4 HEC-eve interesave të shqiptarëve u është shkaktuar një dëm ekonomik prej rreth 100 ml euro."- deklaroi Shalsi. 

PS-ja ka depozituar në Prokurorinë e Tiranës një denoncim për vendimin e qeverisë për të shitur hidrocentralet e Ulzës, Shkopetit dhe Bistricës 1 e 2.